Strukturat doganore kanë referuar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, veprën penale “Fshehje e të ardhurave” parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, në ngarkim të një subjekti që merren me tregtimin e gazit të lëngshëm për auto, për të cilin paguhet akcizë në shumën 8 lek për litër.
Në bazë të informacionit dhe dokumentacionit të mbledhur dhe disponuar tashmë nga strukturat doganore, rezulton se shoqëria tregtare furnizohej pranë kompanive importuese të gazit me artikullin “Gaz për ngrohje”, për të cilin nuk paguhet akcizë dhe në fakt e shiste tek subjektet e tjera si “Gaz për auto” duke iu shmangur pagesës së akcizës prej 8 lek për litër.
Konkretisht nga këto struktura është referuar rasti ndaj subjektit “Natyral Gaz”, që ushtron aktivitetin ekonomik në Kamëz, Tiranë, me administrator shtetasin E.K. Sipas akteve administrative të mbajtura nga autoritetet doganore subjekti i detyrohet shtetit në total në shumën 37.7 milionë lekë.
Strukturat Doganore kanë dorëzuar në Prokurori të gjitha materialet, e cila po vijon hetimet në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe strukturat e tjera ligj zbatuese.