MENU
klinika

Rekord për trojet shqiptare

Nga Drenica te Napoli, hapi galopant i Rrahmanit

17.01.2020 - 12:48

Nga Drenica e Kosovës, te Napoli në Serinë A. Amir Rrahmani bën hapin galopant të karrierës. Mbrojtësi kosovar, që vetëm verën e kaluar mbërriti në elitën e futbollit italian, ka kaluar me sukses vizitat mjekësore dhe tashmë mund të quhet futbollist i Napolit.

Megjithatë, kapiteni i Kosovës, sipas marrëveshjes, do të qëndrojë te Verona deri në verë si huazuar dhe më pas do t’i bashkohet të kaltërve, mes të cilëve është edhe Elseid Hysaj.

Amir Rrahmani në vitin 2011 niste karrierën si profesionist në klubin e Drenicës, mes vështirësive të një vendi që vetëm pesë vite më parë kishte shpallur pavarësinë.

Dy vite më pas vjen kalimi te Partizani, aty ku arriti të lërë shenjë si një nga lojtarët më të mirë të dekadës së fundit të dalë nga trojet shqiptare.

Përfundon kontrata me të kuqtë dhe janë kroatët e RNK Split që e pikasin dhe nuk e lënë t’u ikë nga duart. Pas vetëm një sezoni është klubi më i madh kroat, Dinamo Zagreb që e bën të tijin për 1,6 milionë euro. Huazim njëvjeçar te Lokomotiva dhe më pas dy sezone të suksesshëm me Dinamon.

Si gjithmonë Kroacia është një trampolinë perfekte për të hyrë në arenën e madhe të futbollit evropian. Verën e kaluar ylli i Kosovës zyrtarizohet te Verona në Serie A për 2.1 milionë euro.

Rrahmanit iu deshën vetëm gjashtë muaj që të bënte De Laurentis të derdhë 14 milionë euro për të, për ta bërë lojtarin më të shtrenjtë në trojet shqiptare. 25-vjeçari ka firmosur për pesë vjet te Napoli, duke përfituar 1.8 milionë euro në sezon.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN