MENU
klinika

Kërkon dorëheqjen e tij

Opozita i përmend Shpend Ahmetit dështimet e vitit 2019

02.01.2020 - 13:31

Komuna e Prishtinës e ka përmbyllur vitin 2019 me disa projekte të premtuara e të parealizuara.

Parkingu Nëntokësor, rinovimi i Pallatit të Rinisë, Tregu i qytetit, Ndërrimi i flotës së autobusëve të kompanive private e ndërrimi i kioskave të kryeqytetit janë disa nga projektet e premtuara për vitin 2019, por asnjë prej tyre nuk ka nisur të realizohet. Vonesat në prokurim, anulimi i tenderëve e planifikimi jo i mirë, duket se janë arsyet e mosrealizimit të këtyre projekteve. Kështu të paktën po thonë asamblistët e Komunës së Prishtinës nga partitë opozitare, LDK, VV e AAK.

Qeverisja e Shpend Ahmetit me Komunën e Prishtinës po vazhdon të kritikohet nga qytetarët të cilët ia besuan atij mandatin e dytë në kryeqytet.

Ahmeti kishte premtuar realizimin e disa projekteve madhore për kryeqytetin në vitin 2019, por asnjë prej tyre nuk u realizua.

Ndërrimi i flotës së autobusëve të kompanive private që operojnë në kryeqytet ishte paraparë të bëhej përgjatë këtij viti, mirëpo ende në rrugët e Prishtinës qarkullojnë autobusë të vjetër.

Pallati i Rinisë i cili kaloi në administrimin e Komunës së Prishtinës si Ndërmarrje Publike në shtator të vitit 2018, ishte premtuar të rinovohej përgjatë vitit 2019.

Por, problemet që kishte trashëguar Pallati i Rinisë nuk e lanë të rimëkëmbet. Kalimi i kompetencave nga AKP’ja në Komunën e Prishtinës e la në gjendje të rëndë objektin.

Rreth 140 lokale sa janë në Pallatin e Rinisë nuk kishin ku ta paguajnë qiranë, për shkak se kur komuna e kishte marrë këtë ndërmarrje nën menaxhimin e saj, xhirollogaria që Pallati i Rinisë e ka pasur me AKP’në ishte mbyllur.

Punëtorët e Pallatit të Rinisë patën mbetur pa paga për më shumë se tre muaj. Por edhe pas rregullimit të të gjitha problemeve, rinovimi i Pallatit të Rinisë nuk filloi.

Projekt tjetër i premtuar tash e dy vite është Parkingu Nëntokësor në oborrin e Kampusit Universitar në kryeqytet.

Për dy vite me radhë, Komuna e Prishtinës ka dhënë afate të reja kohore për realizimin e këtij projekti, por në qershor të vitit 2019 tenderi i dhënë nga KP’ja u anulua nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Deri te anulimi i tenderit kishte ardhur si shkak i ankesës së njërës prej kompanive që kishte dorëzuar ofertën.

Tashmë, ky parking i ka mbetur vitit 2020. Këtë e pati bërë të ditur kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili në statusin e tij në Facebook e kishte potencuar se procedura për parkingun ka zgjatur më shumë se një vit.

“Pas një procedure mbi një vjeçare, dje kemi nënshkruar kontratën e partneritetit publiko-privat të parkingut nëntokësor me mbi 700 vendparkime të Fakulteti Filologjik. Në të njëjtën kohë për vitin 2020 kemi ndarë buxhetin për rritjen e parkut te gjelbër para Fakultetit deri te Katedralja me një korsi të rezervuar për autobusë”, kishte shkruar Ahmeti në Facebook.

Ndërrimi i kioskave të kryeqytetit doli të jetë problem i madh për Komunën e Prishtinës. Pas shpalljes së tenderit nga ana e KP’së, u shfaqën shumë pakënaqësi.

Kriteret për aplikim u panë si diskriminuese nga pronarët aktualë të kioskave, të cilët pakënaqësitë e tyre i shfaqën edhe përmes protestave.

Në Asamblenë e Kuvendit të Komunës së Prishtinës ishte kundërshtuar shpallja e këtij ankandi nga të gjitha grupet e partive, duke kërkuar kështu që kjo thirrje të vlerësohet edhe një herë apo të pezullohej. Kuvendi Komunal i Prishtinës e pezulloi vendimin e komunës së Prishtinës për dhënien e kioskave.

Projekt tjetër me rëndësi për kryeqytetin është edhe Tregu i Gjelbër në Zonën Historike. Por, ndërtimin e tregut të premtuar tash e tri vite, nuk kanë nisur ende.

179 mijë euro të ndara për tregun, Komuna e Prishtinës i kishte shfrytëzuar për ta paguar kredinë e autobusëve që Prishtina i kishte blerë nga BERZH-i.

Opozita kritikon Shpend Ahmetin, kërkohet dorëheqja e tij

Asamblistët e partive opozitare në Komunën e Prishtinës kanë thënë për Gazetën Express se mosrealizimi i projekteve të parapara për vitin 2019, është si rezultat i mos punës së kryetarit Shpend Ahmeti.

Jeta Rafuna asamblistë e LDK’së në Asamblenë e Prishtinës, thotë se KP’së do t’i teprojë buxhet edhe këtë vit si vitet e tjera.

Rafuna ka përmendur projektet e parealizuara, për te cilat thotë se Prishtina po i bart pasojat e një kryetari jopunëtor.

“Edhe këtë vit sikur vitet paraprake buxheti i Komunës së Prishtinës do të përfundojë në suficit dhe do të bartet në vitin e ardhshëm. Qeverisja komunale edhe këtë vit tregoi se nuk është qeveri zhvillimore për Prishtinën por qeveri e bllokimit. Shumë projekte të planifikuara kanë mbetur vetëm pjesë e propagandës. Edhe këtë vit nuk është bërë Renovimi i Pallatit të Rinisë e as Tregu i qytetit. Nuk është përfunduar as kolektori në Emshir dhe nuk është bërë as zgjerimi i Linjave të trafikut urban. Mungojnë shkollat, rrugët e çerdhet e buxheti nuk po realizohet. Fatkeqësisht Prishtina po i bart pasojat e një Kryetari tê papërgjegjshëm dhe jo punëtor”, ka thënë Rafuna.

Edhe Eman Rrahmani, asamblist i Vetëvendosjes ka kritika në qeverisjen e Ahmetit me Prishtinën.

Rrahmani ka thënë për Express se me Shpend Ahmetin kryetar, Komuna e Prishtinës del të jetë komuna me më së paku realizim të projekteve të planifikuara në krahasim me komunat tjera të Kosovës.

“Për 9 muaj qeverisje sa kemi raporte zyrtare nga Komuna nga rreth 50 milionë euro të ndara për investime janë investuar vetëm 9 milionë euro. Kjo qeverisje nëse e marrim me statistika të matjes së punës del të jetë qeverisja më e dobët qe nga pas lufta. Ngecjet janë të shumta, nuk ka projekt që mund të themi që është zhvilluar në mënyrë normal e si do të duhej. Investimet kapitale janë problemi kryesor”, thotë ai.

Rrahmani ka listuar projektet e propozuara nga Ahmeti, të cilat nuk janë realizuar përgjatë vitit 2019.

“Janë premtuar 5 shkolla të reja nuk e kemi asnjë, janë premtuar 4 çerdhe për çdo vit dhe nuk e kemi asnjë të re, janë premtuar për çdo vit nga 4 parqe që i bie 16 deri në fund të mandatit e për dy vite është bërë vetëm një, pra 15 të premtuara nuk janë realizuar, janë premtuar 250 banesa sociale për nevojtarët nuk është bërë asnjë”, thotë Rrahmani.

Ai përmend edhe Parkingun Nëntokësor, rinovimin e Pallatit të Rinisë e ndërrimin e autobusëve, projekte për të cilat thotë se ka edhe dyshime.

“Ndër të tjera si projekt më i madh ka qenë Parkingu Nëntokësor që është anuluar disa herë e në fund ka mbetur për vitin tjetër e që ka shume dyshime edhe për mënyrën se si është dhënë ky koncesion. Rinovimi i Pallatit të Rinisë ka qenë një premtim tjetër që ka mbetur vetëm premtim edhe pse si kuvend jemi obliguar të paguajmë rreth 5 milion euro borxhe kësaj ndërmarrje. Ndërrimi i autobusëve të kompanive private që operojnë në qytet ka qenë njëri nga premtimet por Kryetari është duke penguar kompanitë private në blerjen e autobusëve të rinj me mos nënshkrimin e kontratave për operim. Kiosqe të reja ishte premtimi i radhës, por që fatmirësisht arritëm të ndalim një veprim jo njerëzor të kryetarit i cili dëshironte që t’i linte ne rruge shfrytëzuesit e tanishëm e t’u jepte oligarkëve këto kiosqe”, thotë Rrahmani.

Rrahmani përmend edhe dështimin ne Ahmetit në zgjedhjet e 6 tetorit me PSD’në. Ai madje thotë se i ka kërkuar dorëheqjen dhe ta kthejë mandatin të cilin e ka marrë sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Shpëtimi i Prishtinës do të ishte që ai të jap dorëheqje dhe të kemi Kryetar të zgjedhur nga qytetarët dhe jo kryetar që vjedh mandate.”, ka thënë Rrahmani.

Por, ndryshe nga Rafuna e Rrahmani mendon Fiknete Bejta, asamblistë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Asamblenë e Prishtinës.

Bejta ka thënë se arsye për vonesat e realizimit të projekteve të premtuara janë problemet me prokurimin.

“Mos realizimi i projekteve në Komunën e Prishtinës ka ndodhë për arsye të problemeve në prokurim pasi ky proces zhvillohet duke u bazuar në një ligj me shumë mangësi”, thotë Bejta.

Ajo shton se projektet e mbetura do të realizohen përgjatë vitit 2020.

“Me të gjitha përgatitjet, Komuna do të realizojë një mori projektesh në vitin 2020 të cilat do të kenë impakt në jetën e qytetarëve të Prishtinës. Ndërtimi i Parkingut Nëntokësor do fillojë në fillim të vitit pasi janë kryer të gjitha procedurat”, thotë Bejta.

Lëvizjet e Shpend Ahmetit në politikë

Shpend Ahmeti është kryetar i Komunës së Prishtinës që nga dhjetori i vitit 2013. Gjatë mandatit të tij të parë, Ahmeti shpesh herë është ankuar se partitë opozitare LDK’ja dhe PDK’ja po e pengonin në kryerjen e punëve të cilat i synonte.

Megjithatë, ai kishte vendosur që të garonte për një mandat të dytë në Prishtinë, ku edhe fitoi me rezultat të ngushtë kundër kandidatit të LDK’së, Arban Abrashit.

Pasi e mori mandatin, Ahmeti u nda nga partia që e bëri fitues, Vetëvendosja. Ai kaloi në Partinë Socialdemokrate, bashkë me shumë të tjerë anëtarë të VV’së.

Por lëvizjet e Ahmetit në politikë nuk u ndalën me kaq. Të qenit kryetar i kryeqytetit të Kosovës duket se nuk i mjaftoi atij. Në dhjetor të vitit 2018, ai u mandatua nga Kuvendi i Kosovës si bashkënegociator për bisedimet e Kosovës me Serbinë.

Por, Ahmeti duket se është lodhur nga lëvizjet e shumta në politikë dhe ka vendosur tashmë t;i fokusohet vetëm kryeqytetit për dy vite mandat sa i kanë mbetur.

Më 15 dhjetor, Ahmeti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha postet udhëheqëse në Partinë Socialdemokrate.

Arsye për këtë ishte rezultati i dobët në zgjedhje, pasi kjo parti ani pse në koalicion me AAK’në e Ramush Haradinajt, nuk arriti të marrë asnjë mandat në Kuvendine Kosovës.

Në lajmërimin e tij për dorëheqje, Ahmeti ka theksuar se do t’i përkushtohet vetëm Prishtinës.

“Tash e tutje dhe deri në përfundim të mandatit në Komunën e Prishtinës unë nuk do të marr asnjë angazhim tjetër në asnjë institucion tjetër duke u fokusuar plotësisht në përmbushjen e premtimeve të dhëna në vitin 2017”, ka shkruar Ahmeti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përmbledhja ditore e rajonit

Kosova përgatitet për dialogun me Serbinë