MENU
klinika

Raporti mbi korrupsionin

OSBE: Shqetësuese renditja e Shqipërisë

23.01.2020 - 18:53

OSBE e quan shqetësuese raportin e “Transparency International”, ku Shqipëria renditet në vendin e 106 sa i përket korrupsionit, teksa i ka bërë thirrje institucioneve që të vijojnë të zbatojnë Reformën në Drejtësi.

Në reagimin zyrtar, OSBE-ja vë theksin se ky raport është një tregues i rëndësishëm për implementimin e Reformës Zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR për t’i dhënë fund korrupsionit në zgjedhje.

“Vërejmë me keqardhje vijimin e përkeqësimit të perceptimit publik ndaj korrupsionit në vend, siç dëshmon Indeksi më i fundit i Transparency International, rezultatet e të cilit u botuan sot. Shqipëria shënoi një pikë më pak në krahasim me vlerësimin e vitit 2018, duke humbur shtatë vende në klasifikimin global. Prirja e përgjithshme negative në rajonin e Evropës Juglindore, përfshirë Shqipërinë, sa i përket luftës kundër korrupsionit mbetet shqetësuese.

Në dritën e gjetjeve të Transparency International, Prezenca e OSBE-së i bën thirrje institucioneve publike dhe organeve ligjzbatuese të vijojnë zbatimin e reformës në drejtësi dhe atyre kundër korrupsionit, të sigurojnë integritet dhe transparencë më të madhe institucionale në shpenzimet publike, si dhe të zgjerojnë hapësirën për pjesëmarrjen e shoqërisë civile në monitorim të pavarur. Meqenëse analiza mbarëbotërore e Indeksit për Perceptimin e Korrupsionit këtë vit thekson nevojën për adresimin e korrupsionit në zgjedhje, përsërisim thirrjen tonë për reformë zgjedhore të plotë dhe gjithëpërfshirëse për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, përfshirë ato lidhur me financimin e partive dhe të fushatave zgjedhore”, shkruan OSBE.