MENU
klinika

"Askush s'ka vlerësuar dëmet!"

Pa strehë pas tërmetit, banorët e Durrësit: Qiratë janë shtrenjtuar

04.01.2020 - 17:08

Katër mijë banorë, të cilët pas tërmetit u strehuan në hotelet e Durrësit janë të paqartë dhe në ankth për të ardhmen e tyre, pasi në fillim të javës së ardhshme duhet t’i lënë ambientet ku qëndrojnë që prej 26 nëntorit.

Të mbetur pa shtëpi, banoret rikthehen çdo ditë në pallatet e dëmtuara vetëm për të ruajtur orenditë shtëpiake. Ata thonë se askush nuk ka vlerësuar sigurinë e pallateve dhe kanë frikë të rikthehen aty.

“Nuk ka ardhur kush të kontrollojë. A është apo jo i banueshëm?! Ku do rrimë?! Të vinë njerëz kompetent, që t’i shohin këto pallate. Si do të jetë e ardhmja jonë?! Presim se kush do të na vijë në ndihmë”, -tha një prej banorëve të prekur.

Akti me i shëmtuar sipas banoreve është rritja e çmimit të qirave të banesave, me të cilat u abuzua menjëherë pas kërkesës së shtuar pas tërmetit. Sipas bashkisë së Durrësit, përgjatë muajit Janar pritet të dalë fatura financiare e dëmeve të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Përveçse 4 mijë të strehuarve në hotele, mbi 6 mijë të tjerë vijojnë të qëndrojnë në çadra ndërsa shumë të tjerë kanë bujtur tek të afërmit ose qëndrojnë në shtëpi me qira.