MENU
klinika

Armand Duka për “Gazzetta dello Sport”

“Panucci më zhgënjeu, me Rejan synojmë Euro 2024”

08.01.2020 - 18:37

Numri një i futbollit shqiptar, Armand Duka, në një intervistë për prestigjozen italiane “Gazzetta dello Sport”, foli për dinastinë e trajnerëvë italianë në krye të kombëtares kuqezi, por edhe objektivat.

Presidenti i FSHF-së vlerësoi maksimalisht aftësitë e teknikëve italianë, ndërsa veçon se De Biasi konsiderohet një hero për kualifikimin historik të Shqipërisë në “Euro 2016”, ndërsa zhgënjim i la Christian Panucci.

duka panucci e de biasi

Nga Dossena, tek Edy Reja, dinastia e trajnerëve italianë në krye të kombëtares së Shqipërisë po vazhdon…?

Trajnerët italianë janë të suksesshëm kudo, e tregon historia. E nisa duke i besuar Dossenës, por la shumë pak gjëra. I dyti ishte De Biasi, i cili na dërgoi në Europian për herë të parë. Për këtë mori nënshtetësinë shqiptare, konsiderohet një hero. Panucci erdhi pas tij, ai ishte i vetmi që më zhgënjeu pak.

Pse ju zhgënjeu Panucci?

Vendosa ta zgjidhja për trajner të Shqipërisë për karakterin e fortë që ka treguar në fushën e lojës, e admiroja që kur e kam parë në televizor. Nuk kishte eksperiencë si trajner, por nuk e kushtëzova.

duka panucci
duka panucci

Mendova se donte të ndihmonte Shqipërinë. Kur e takova më tha: ‘President, nëse ke vendosur të më largosh, nuk do të kërkoj asgjë’. Dhe tani kemi marrë një kërkesë për shpërblimet pas shkarkimit.

Avokatët po merren me çështjen. Nuk është çështje parash, por ndiej hidhërim. (Mësohet se Panucci ka kërkuar 54 mijë euro dëmshpërblim).

Çfarë synoni të arrini me Rejën?

Reja është trajner me eksperiencë. Me të dhe stafin e tij teknik kemi një projekt me perspektivë. Kualifikimi në Kupën e Botës është i vështirë, synojmë të kualifikohemi për Euro 2024. Kjo është ëndrra ime.

Presidenti Duka, Kumbulla është xhevahiri i ri i futbollit shqiptar dhe kërkohet nga klube të mëdha. A mendoni se është gati për këtë hap në karrierë?

Kumbulla është një lojtar shqiptar me shumë perspektivë. Është 19-vjeç, po bën shumë te Verona, po rritet dhe është thirrur në kombëtare nga trajneri Reja, ku ka luajtur disa minuta.

Është në rrugë në mbarë për t’u bërë një lojtar me emër. Ai i zoti në aspektin teknik dhe fizik dhe ka karakter të mirë. Te Verona është edhe Rrahmani. Ai ka luajtur më parë me ne, por vendosi të përfaqësonte Kosovën.

Bashkë me të janë dhe Strakosha i Lazios, Hysaj i Napolit dhe Gjimshiti i Atalantës…?

Hysaj është kapiteni ynë, është lojtari më me eksperiencë, shpresoj të rifitojë sërish hapësirë te Napoli. Ka luajtuar pak me Ancelotti-n. Gjimshiti është lojtar i mirë, luan në Champions dhe nuk është pak për ne.

Strakosha dhe Berisha janë të zotë, ata ia kanë të vështirë Rejës se kë duhet të zgjedhë si portierin e parë. Në Serie B kemi Veselin.

Tërmeti i 26 nëntorit shkatërroi atmosferën festive pas inagurimit të stadiumit të ri kombëtar, një simbol i rilindjes…?

Stadiumi i ri është gjëja më e bukur në Shqipëri për momentin, është shumë i rëndësishëm për ne. Në stadiumet e qyteteve të prekura nga tërmeti tani ka tenda.

Të gjithë lojtarët e skuadrës sonë kombëtare kanë paguar për rikonstruksionet bashkë me shumë federata të tjera të futbollit. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Gabriele Gravina, reagoi menjëherë.

Reja kontribuoi bashkë me Lazion. Me paratë grumbulluara ne do të ndërtojmë shtëpi të reja për njerëzit e prekur nga tërmeti. Më 10 janar do të luajmë një ndeshje bamirësie mes veteranëve të Shqipërisë me ata të Italisë, Greqisë dhe Turqisë. Paratë e grumbulluara nga kjo ndeshje do të shkojnë për bamirësi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Presidenti i FSHF për Kombëtaren

Duka konfirmon Rejan: Më mirë se në Euro 2016