MENU
klinika

Firmos Kosova dhe Serbia

Samiti/ Balla publikon deklaratën perfundimtare

29.01.2020 - 13:53

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka publikuar deklaratën përfundimtare të Samitit Parlamenti Evropian-Ballkani Perëndimor që u zhvillua në Bruksel gjatë ditës së djeshme.

Deklarata e firmosur nga kryeparlamentarët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë ata të Kosovës dhe Serbisë thekson angazhimin për procesin e integrimit europian, forcimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë parlamentare por i kërkohet Këshillit Europian që të japë një mesazh të qartë politik me hapjen e negociatave ose dhënien e statusit të vendit kandidat si dhe të mbështesë perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.

Deklarata e Përbashkët e publikuar nga Taulant Balla:

“Ne, Kryetarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, bashkë me Presidentin e Parlamentit Evropian dhe Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë, i cili përfaqëson Presidencën kroate të Këshillit të BE-së,

1. Rikonfirmojmë rolin kyç të parlamenteve për çuarjen përpara të axhendës së reformave të BE-së dhe për ruajtjen e aspiratës evropiane të popujve të Ballkanit Perëndimor;

2. I bëjmë thirrje Këshillit Evropian që të vazhdojë të mbështesë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, bazuar në plotësimin e kritereve të anëtarësimit, dhe të japë një mesazh politik të qartë dhe pozitiv në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe dhenien e statusit te vendit kandidat;

3. Gjykojmë se Samiti i Zagrebit mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm për të kthyer kredibilitetin e politikës së zgjerimit dhe për ti dhënë këtij procesi një shtysë të re efektive përmes konkluzioneve konkrete që do ta çonin rajonin më pranë BE-së dhe do të garantonin qëndrueshmërinë e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor;

4. Konfirmojmë angazhimin e plotë të parlamenteve tona për të marrë pjesë në reflektimet për një “qasje të re” ndaj zgjerimit, në mënyrë që procesi të bëhet më demokratik, më transparent dhe më pranë qytetarëve dhe shoqërisë civile; rikonfirmojmë se sundimi i ligjit është dhe duhet të mbetet një gur themeli i procesit të anëtarësimit;

5. Besojmë fort se zgjerimi i Bashkimit Evropian do të jetë në dobi të popujve të Ballkanit Perëndimor dhe të Vendeve Anëtare të BE-së, dhe mund të sjellë pajtimin aq të nevojshëm në rajon;

6. Gjykojmë që, ndërsa përgatitjet për Konferencën mbi të Ardhmen e Evropës po ecin me shpejtësi, Ballkani Perëndimor Gjashtë duhet të jetë tërësisht i lidhur me punën e Konferencës;

7. Jemi plotësisht të angazhuar të punojmë së bashku për të forcuar demokracinë parlamentare dhe dimensionin parlamentar të procesit të zgjerimit, si dhe për të thelluar kulturën parlamentare, të bazuar në arritjen e konsensusit përmes një dialogu për qëllim të mirë, të hapur, gjithëpërfshirës dhe jo-konfrontues, i udhëhequr nga interesi për paqe të qëndrueshme; theksojmë rëndësinë e programeve për mbështetjen parlamentare dhe të ngritjes së kapaciteteve, të realizuara në nivel lokal dhe rajonal, të mbështetur nga Parlamenti Evropian;

8. Besojmë se fuqizimi i parlamenteve është një pjesë thelbësore e procesit të zgjerimit, pasi vetëm parlamentet e fuqizuara dhe efikase, me kultura të forta të dialogut gjithëpërfshirës dhe arritjes së konsensusit, mund të jenë motorë të vërtetë dhe efektivë të reformave.

Së fundmi, ne, Kryetarët e parlamenteve të Ballkanit Perëndimor Gjashtë, me mbështetjen e plotë të Presidentit të Parlamentit Evropian dhe Kryetari i Parlamentit te Kroacise, i cili perfaqeson Presidencen kroate te Keshillit te BE-se, angazhohemi për të drejtuar parlamentet tona përkatëse në këtë rrugëtim dhe të ndihmojmë për të krijuar një moment të ri politik në procesin e zgjerimit që i përgjigjet pritshmërive të të gjithë qytetarëve tanë.

-David Maria Sassoli President i Parlamentit Evropian;
-Gordan Jandroković Kryetar i Parlamentit të Kroacisë;
-Gramoz Ruçi Kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë;
-Denis Zvizdić Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, Asambleja Parlamentare e Bosnjë-Hercegovinës;
-Dragan Čović Kryetar i Dhomës së Popujve, Asambleja Parlamentare e Bosnjë-Hercegovinës;
-Glauk Konjufca President i Kuvendit të Kosovës;
-Ivan Brajović President i Parlamentit të Malit të Zi;
-Talat Xhaferi President i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
-Maja Gojković Kryetare e Asamblesë Kombëtare të Republikës së Serbisë.