MENU
klinika

Temat e diskutimeve

Pas Merkel, Rama takim me presidenten e KE-së

26.01.2020 - 12:52

Për të marrë mbështetjen e shteteve anëtare të BE për konferencën e donatorëve dhe për çështjen e negociatave, kryeministri Edi Rama ka nisur turin e takimeve me drejtuesit e unionit.

Kreu i qeverisë shqiptare do të kërkojë sërish nga Merkel për të bindur vendet skeptike si Francën dhe Holandën për t’i dhënë dritën jeshile të Shqipërisë.

Ende nuk ka asgjë të sigurt përsa i përket negociatave me Bashkimin Europian, pasi vetë kreu i Këshillit Europian, pak ditë më parë, paralajmëroi qeverinë shqiptare se unioni nuk ka ende unanimitet.

Për këtë arsye kryeministrit Edi Rama i duhet të nisë takimet në kancelaritë europiane për të marrë mbështetjen e vendeve mike si dhe për të bindur shtetet skeptike për rezultatet e Shqipërisë.

Të hënën Rama do të fluturojë drejt Berlinit për të takuar kancelaren gjermane Angela Merkel. Në njoftimin e zyrës së shtypit të Merkel thuhet se temë e diskutimeve me kryeministrin shqiptar do të jenë marrëdhënia bilaterale, konferenca e donatorëve që do të zhvillohet në 17 shkurt në Bruksel për t’i ardhur në ndihmë vendit tonë për procesin e rindërtimit.

Gjithashtu temë e kësaj tryezë do të jetë edhe drejtimi i OSBE-së nga ana e Shqipërisë. Por ajo që do të kërkojë më shumë rezultate dhe debate do të jetë çështja e negociatave. Në fund të vitit 2019 Bundestagut gjerman kërkoj që politika shqiptare të “prodhojë” produkte reale përsa i përket reformës zgjedhore, funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese dhe zgjidhjen e krizës politike.

Në dosjen e Edi Ramës, gjatë vizitave në union, do të jetë edhe marrëveshja politike mes mazhorancës dhe opozitës së bashkuar, e cila sipas këtij pakti brenda 15 marsit duhet të ketë një draft përfundimtar përsa i përket reformës zgjedhore. Kjo datë e caktuar nga politika shqiptare, do të pasohet me takimin e Këshillit Evropian me 26-27 mars ku pritet të ketë edhe një vendim për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Pas takimit me Merkel, të martën kryeministri do të zhvendoset në Bruksel ku do të takohet me Presidentin e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, për të diskutuar më nga afër përgatitjet për konferencën e donatorëve si dhe për përgatitjen e raportit të ri përsa i përket rezultateve të detyrave të shtëpisë të Shqipërisë të vendosura nga Brukseli, që në fund të marsit vendet anëtare do të kenë në tryezë në samitin e Këshillit Evropian.

www.konica.al