MENU
klinika

Por ka një dallim

Pas Tiranës edhe Durrësi heq depozitat

03.01.2020 - 12:29

Pas bashkisë së Tiranës, edhe ajo e Durrësit pritet të marrë një vendim për depozitat e ujit mbi tarracat e pallateve.

Pesha e tyre është kthyer në makth për banorët e kateve të larta prej vitesh, për shkak të dëmeve që shkaktojnë në tarraca. Tërmeti i 26 nëntorit nxori në pah dhe çështjen e sigurisë për ndërtesat dhe njerëzit, që cënohet prej tyre.

“Bashkia po harton një propozim për Këshillin Bashkiak që të miratojë një nisëm për administratorët e objekteve të banueshme që të bashkëpunojnë me qytetarët për të hequr depozitat nga tarracat e pallateve.

Që pas tërmetit të 26 nëntorit kemi pasur shumë ankesa nga qytetarët mbi rolin e depozitave dhe si duhet të veprojnë me to në mënyrë që pesha e tyre të mos ndikojë në dëmtimin e pallateve.

Në dispozicion të administratorëve do të vendosen edhe institucionet duke nisur nga UKD për të asistuar procesin”– shprehet Emirjana Sako, Drejtore e Shërbimeve dhe Punëve Publike, Bashkia Durrës.

Po ndryshe nga Tirana, në Durrës, shumica e pallateve nuk kanë administratorë. Ato që kanë janë kryesisht pallatet e ndërtuara në dy dekadat e fundit të cilat i kanë të pozicionuara në katin e nëndheshëm depozitat e ujit.

“Atëherë procesi do të nisë nga pallatet me administratorë dhe duhen ndërmarrë strategji për të caktuar administratorët në pallate dhe nisma informuese për qytetarët, pasi ky është një detyrim ligjor. Është dhe një detyrim qytetar për të bashkëpunuar për këtë çështje. Bashkia Durrës do të asistojë për të vendosur një hapësirë në bazamentin e objektit ku të përqëndrohen depozitat e reja”- vazhdon Sako.

Në Durrës, problem mbetet dhe mungesa e hapësirave përreth godinave të banimit për të vendosur depozitat, por Sako shprehet se ekzistojnë mundësitë për zgjidhje.

Të paktën deri në momentin kur Durrësi do të ketë një furnizim të rregullt, pa orare të kufizuara, me ujë nga rrjeti i ujësjellësit.