Mund të më thuash, se çfarë mendon ti realisht, për Rugovën? – më pyeti papritur, kohë më parë, ish-ambasadori amerikan Uollker, që denonocoi masakrën e Reçakut. Ishim në një tavolinë të madhe, me thuajse gjithë klasën politike të Kosovës…
Ju përgjigja me gjysmë shakaje.
– Më thuaj ti, më parë, çfarë mendon për të, pastaj do të përgjigjem.
Unë nuk e doja – tha ai. Madje një ditë, Ollbrajti më pyeti e çuditur.
Nga i buron fuqia reale këtij njeriu, që kujtdo që vjen në Kosovë, pa marrë parasysh, që mund të jetë dhe Presidenti i Amerikës, i fal një gur minerali nga këtu dhe pastaj buzëqesh…
– Është shumë e thjeshtë, ambasador – i thashë.
Rugova u flet njerëzve me gjuhën e gjyshërve. Për shembull, u thotë kështu… dhe aty për aty, improvizova.
– Dëgjoni, vëllezër! Na ka gjetur një fatkeqësi e madhe, me këtë punën e serbëve. Po megjithatë, i shoh si re karkalecash, që do ikin me hir a pahir. Andaj, mendoj që është mirë të ruajmë kadastrat, pyjet, qentë e Sharrit, djathin tonë…
Rugova ashtu si Gandi, e dinte fundin e lojës dhe mbante njerëzinë brenda traditës…
Po Rugovë, nuk ka më… Me hir a pahir, atë duhet ta zëvendësojnë, ata që e donin më pak… amerikanët dhe në një formë, që, në pamje të parë, mund të bëjë të buzëqeshësh me trishtim.
Përtej teorive konspirative, duket se qeverisja e re në Kosovë, nuk vjen nga që të gjithë kanë frikë, se duhet bërë marrëveshja me Serbinë, që nga ana e saj mbaron me numërimin e kilometrave katrorë të njërit vend a tjetrit. Në këtë grackë, që në pamje të parë ka rënë dhe Albini, që sido ta realizojë marrëveshjen, do t’i hidhen sipër ata që ai ka sulmuar më parë, për të njëjtën gjë… Pra, shitjen e një pjese tokash te Serbi, pavarësisht si do të konturohej marrëveshja.
Unë nuk i besoj shumë teorive konspirative dhe ajo që thashë më sipër, mund të jetë edhe e tillë. Po ndërkaq, besoj se kultura, ndoshta jo ajo politike e Albinit, nuk besoj se e ngatërron për të bërë qeverinë e re, se i duhet edhe aksh ministër, a ministri. Albini nuk është Rugovë, po kulturën jashtë politike, e ka dhe ai, të klasit të parë. Besoj se e di mirë, se ai që është lider, nuk merret me numra, por i udhëheq njerëzit me frymë. Dhe frymën, nuk ka numër ta mundë…
Nëse do të ishte e kundërta, Albini dhe shokët e tij, do ta humbnin qeverisjen ende pa e filluar atë. Madje edhe sikur në mes, të mos ishte marrëveshja me Serbinë, por thjesht, vetëm qeverisja normale.
Rugovë, nuk ka më. Amerikanët që nuk e donin Rugovën, megjithatë, ecin në gjurmën e tij. Po si?
Kur dëgjova, se në ditët e fundit, Kosova dhe Serbia do të ndërlidhen prapë dhe me linjë hekurudhore, po aq dhe me atë ajrore, m’u kujtuan sa Rugova, aq edhe amerikanët, por po kaq dhe ai që pruri pataten në Europë.
E pruri, duke ua falur, por nuk e pranuan fshatarët e zonës. Atëherë, ai e mbolli në tokën e tij. Tokën e rrethoi me tel me gjemba dhe vuri roje të armatosura. Po natën, fshatrët gjetën mënyra, ia vodhën dhe e mbollën në tokat e tyre.
Besoj se amerikanët po e çlirojnë edhe njëherë Kosovën nga makthi serb, me teknikën e patates. Ndryshe nga ajo lloj patateje, që ata që duan të qeverisin tani e quajnë “patate të nxehtë” dhe nuk duan ta mbajnë nëpër duar.
Është sa për të qeshur edhe për të qarë. Para ca kohësh në televizionin e Mitrovicës, moderatori po më fliste për rrezikun serb, etj., etj. I preva fjalën dhe i thashë, thjesht:
Kosova është vëndi më i mbrojtur në botë, sepse është ulur NATO këmbëkryq, këtu. Por, po deshe më thuaj, çfarë buxheti ndani në Mitrovicë, krahasuar me kohën para luftës?
– Është nja pesë herë më i vogël se atëherë – tha ai.
– E mirë, – thashë. Çuditem pse nuk ia mbathin dhe shqiptarët këtu, se serbët duhet të jenë të çmendur që të rrinë më. Ndoshta vrisni mendjen, e bëni ndonjë Zonë të lirë ekonomike dhe atëherë, do të shihni se nuk do të ketë më konflikte kaq të zhurmshme…
Nuk mund të teorizoja se, Franca dhe Gjermania u therën për ca kilometra katrorë në Alsasë-Lorenë dhe u bënë edhe nja dy luftra botërore. Po shkaku i sherrit, qymyri, u bë dhe shkaku i pajtimit që pruri Evropën e sotme…
Mund edhe të them broçkulla, po besoj në mënyrë të hekurt, se Serbisë i interesojnë pak, ato kilometrat katrorë që fiton apo humb në Kosovë. E sheh luftën dhe ankesën e saj në Perëndim, të lidhur me ndonjë lëshim andej-këndej, siç janë mësuar dredharakët e vegjël në Ballkan.
Ajo që është rrezik për Kosovën dhe po aq për Shqipërinë, madje edhe nëse bashkohen, nuk janë ca kilometra më shumë, a më pak. Si Kosova edhe Shqipëria, të ngelura pa Strategji kombëtare, do të jenë akoma më të pushtuara dhe pa këmbë serbi, në të dy vendet. Ekonomia e Kosovës, ashtu edhe ajo e Shqipërisë, janë përdhe dhe nuk ka nevojë t’i pushtojë bajoneta serbe…
Do t’i bien në këmbë vetë, me atë ekonomi që kanë dhe me atë patriotizëm të rremë, të ca njerëzve në të dy anët e kufirit.
Amerikanët, që thuhet se kanë hallin e marrëveshjes së dy palëve, me aktet e fundit po luajnë me pataten e përmendur më lart.
Dhe mua, nuk më mbetet veçse të kujtoj thelbin e filozofisë së Rugovës;
Shikoni, vëllezër! Retë e karkalecave do të ikin dhe ne duhet të ruajmë kadastrën, pyjet, qentë e Sharrit, djathin…
Rugova, nuk është më. Dhe ne në fakt, në të dy anët e kufirit, prishëm ato që ai kërkonte të ruanim… Kanë mbetur ca të tjerë, që jo vetëm nuk e kuptuan asnjëherë, por edhe tani do të kishin qejf t’ia nxirrnin kockat nga varri për efekt patriotizmi, a ndonjë “akti patriotik”. Natyrisht që edhe mua, mbase do të më vërviten militantët e dy krahëve këndej e andej kufirit, si një maskarai që ka qejf t’ia dorëzojë territorin Serbisë…
Amerikanët ndërkohë, duhet të shohin efektin e patates që prunë…
Punë dreqi. Nuk e di, se kush na e ka lënë këtë mallkim, që po na mundon për një kohë, të cilës, nuk i njihet origjina.