MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

“Për Kishë të Laçit”… a ndërtohet në Laç?

20.01.2020 - 15:03

Kur themeluesi i Rusisë moderne, Pjetri i Madh, vendosi të ndërtonte Petërburgun e sotëm, ndoqi një ide strategjike, që vazhdon të jetë në thelbin e gjeopolitikës ruse. Ai ndërtoi dritaren, nga mund të shikonte dhe ëndërronte Stambollin, apo thënë ndryshe, të zotëronte Dardanelet, nga ku priste vijat e komunikimit Lindje-Perëndim dhe minimizonte fuqinë e Anglisë, si ‘Zonjë e deteve’.

Zona ishte e tmerrshme dhe në ndërtim, vdiqën 30 000 njerëz. Po kjo, nuk e pengoi Car Pjetrin të ndërtonte atë qytet, që edhe sot është një nga mrekullitë e botës.

Perandoritë e kanë tagrin të ndërtojnë apo të risjellin në jetë qytete, duke iu përmbajtur megjithatë, strategjisë së tyre kombëtare, që shkruar shpesh herë, përmblidhet në dy fjali. Modernizimi i resurseve që të kanë lënë të parët dhe pozicioni gjeografik ndaj të tjerëve.

Lindja e një qyteti, është si lindja e një fëmije. Kjo frazë e përsëritur po shpesh, të thotë thjesht, se, nëse ndërton pa pasur parasysh ca karakteristika që duhet të ketë qyteti në rritjen e tij, ky në mos sot apo nesër, është i destinuar të zhduket.

Pikërisht kjo, m’u kujtua para disa ditësh, kur Rama vendosi që në Laç, ku ka dëme të mëdha nga tërmeti, të ndërtonte me ndihmën e Turqisë, 500 apartamente. Në planin e parë të shikimit, logjika duket e drejtë. Aty banorët kanë shtëpitë, shkollën, pronat e tyre dhe kujtimet që i kanë shoqëruar një jetë të tërë. Po të shtosh këtu dhe faktin se, toka është e lirë, ndërtimi i këtyre 500 banesave, duket i justifikueshëm. Shtuar këtu, sqimën që karakterizon Ramën në ndërtim e që unë e besoj shumë, mund të thuash, se do të kemi të bëjmë me një vepër të mirë, që mund të shërbejë edhe si shembull.

Po sa u tha më sipër, problemi, mund të shihet dhe ndryshe.

Laçi është një nga ato ndoshta, dhjetë a më shumë qytete të ndërtuara në kohë të socializmit, të bazuara në ekonominë e planifikuar, që kopjonte në mënyrë të shëmtuar ekonominë sovjetike. Kishte në qendër të tij, superfosfatin dhe u krijua nga një grup njerëzish, ku bënin pjesë grupe të ndryshme shoqërore, mes tyre dhe të persekutuar nga koha e përmendur.

A mund të mbijetonte Laçi, me rënien e komunizmit?

Kjo pyetje në fakt, nuk shtrohej vetëm për Laçin. Janë, siç thashë më lart, disa qytete që vijojnë nga Tirana deri në Shkodër dhe ndërtuar në bazë të njëjtës filozofi të dikurshme.

Natyrisht, brenda qëllimit të drejtuesve të kohës, por kundër filozofisë së strategjisë kombëtare. Po ashtu, edhe kundër rregullave që karakterizojnë ndërtimin e një qyteti. Nuk ka nevojë për filozofi të madhe, të kuptosh se, qytete si Shkodra, Berati, Korça, Durrësi apo Vlora, do të mbijetonin dhe mbijetojnë, sido që ta ndërrojmë sistemin shoqëror, me gjithë dëmet që u sjell sistemi i mëparshëm. Janë ndërtuar ku ka ujë, pyje, mal e gjithçka tjetër, që karakterizon njerëzinë që nga fillimi i ndërtimit të bashkësive që sot i quajmë qytete.

Rënia e komunizmit, do të shpinte patjetër në një dobësim, apo zhdukje graduale nga harta që prish rregullat e njohura. Mund të përmendim, jo vetëm Laçin, Rubikun, Memaliajn, Maliqin, po dhe shumë qendra të tjera, të krijuara sipas modelit që kopjonte atë sovjetik.

Kopjimi i këtij modeli, rrezikoi edhe qytete të mëdha, të ndërtuara brenda një logjike jo të shëndetshme. Elbasani, ky qytet tipik tregtar, në mes të Shqipërisë, vështruar si një farë “karakolli”: për të kontrolluar vendin që nga kohët e vjetra, mbeti dhe si një qytet tipik tregtar. Çka do të thotë, edhe pa prona toke, ndryshe nga shumica e qyteteve të mëdha

Në kohën e komunizmit, Hoxha ndërtoi aty, Metalurgjikun dhe Rezervat e shtetit, duke shfrytëzuar edhe pozicionin gjeografik të tij, si qendër e Shqipërisë. Ndërkohë, në një periudhë gati 40-vjeçare, pas 1980-ës, qyteti u zmadhua ndoshta tri herë në popullsi… Rënia e komunizmit, nxori në pah pyetjen, si do të vazhdonte më tej, ky qytet.

Për t’i rënë shkurt, mund të thuash se në të, do të shihnim siç shohim shpesh, pasojat që vijnë nga krimi dhe korrupsioni. Kjo, thjesht sepse qyteti, nuk i ka mjetet e mbijetesës normale, apo dhe një strategji mbijetese.  Mban shpesh, nëse përdorim fjalë të rënda edhe “Gjurmë Palermoje”.

Në të njëjtin pozicion është edhe Laçi, madje, ndoshta edhe më të keq. Fundi i veprave të komunizmit, aty nuk projektonte ndonjë të ardhme të mirë. Ai që kalon anash qyetit, nuk i duhen më shumë se një minutë, për ta kuptuar këtë dramë.

Në normalen e diskutuar shumë herë dhe të lidhur edhe me Reformën Zgjedhore, do të duhej të thuhej se ndarja e vendit nga Reforma Territoriale, do të kërkonte zgjidhjen edhe të problemeve që krijoi epoka komuniste. Pra, integrimin e zonave të pasura me ato të varfra, nëse nuk do të doje të shihje zhdukjen e këtyre të dytave. Thënë më praktikisht, deputetët, apo ndarja e qarqeve, duhet të mbante të ngërthyera në njëra-tjetrën, ndarjen e mirë të zonave dhe deputetëve që janë të plotfuqishmit e popullit.

Dhe vijmë prapë te Laçi, si një nga shembujt tipikë të filozofisë së mësipërme. A ia vlen që 500 ndërtesat e reja, që do të bëhen për të riparuar dëmet e tërmetit, të ribëhen aty? Me se do të mbijetojë, Laçi?

Nuk e besoj që të shprehemi me parulla besimtarësh e të themi. Që Laçi… “Për Kishë të Laçit”, duhet ndërtuar në Laç. Thua e shpëton betimi në emër të Kishës së Laçit?

Besoj që do të ishte më mirë të mendoheshim edhe njëherë, para se të vendosnim të ndërtonim aty, 500 banesa, që në thelb janë gjë e madhe për këtë popull të këtij qyteti, që ka vuajtur e që po vuan aq shumë, në gjithë ekzistencën e tij.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fjalimi i fundit i ndritshëm i Nolit në 1963

Mirë a keq, ne e Bëmë Shtetin e pavarur të Shqipërisë