MENU
klinika

Dokumenti

Prek Cali akuzohej se përkrahte “shovinizmin shqiptar”

22.01.2020 - 07:27

Nga Kastriot Dervishi

Në një raport të gjatë prej 7 faqesh të përgjegjësit organizativ të seksionit politik të Divizionit të 2-të, Veis Pipa të datës 24.2.1945, bëhet fjalë për aktivitetin e brigadave 1, 23, 24 (pjesë të divizionit).

Këtu përmenden shumë fakte si torturimi i popullsisë civile, si dhe puna e dobët e “shokëve jugosllavë” në mosgoditjen e “shovinizmit shqiptar”, etj. Prek Cali dhe të tjerë përfaqësues të parisë akuzohen po “mprihnin shovinizmin shqiptar”. Pra të drejtat e shqiptarëve që banonin në Mal të Zi cilësoheshin të rrjedhura nga “shovinizmi shqiptar.

-Brigada e 1-rë me pesë batalionet e saj numëronte këtë kohë 1.700 partizanë, të shtuar nga mobilizimi me forcë i asaj kohe.

-Brigada 23-të kishte rreth 1.400 partizanë. Raporti shënon disa sjellje imorale të shokëve partizanë “me disa shoqe pioniere”, por edhe vjedhje të kryera nga kuadro.
-Brigada e 24 kishte rreth 1.000 partizanë, por më se 200 prej kishin dezertuar.
Komandant i divizionit në fillim ishte Gjeli Argjiri e pastaj Ndreko Rino.

Midis të tjerash në këtë raportin e Vesi Pipës thuhet:

“Shkodra është vendi ku reaksioni qe dëmtuar pak, bile ky reaksion duke e pandehur veten të mbështetur, guxoi të hidhej në luftë të hapët me pushtetin tonë dhe ushtrinë e tij.
Edhe më përpara dihej që kish reaksion, por jo në të vërtetën (që) u tregua. Në krye të reaksionit qëndron kleri katolik.

Kundër reaksionit ishin marrë si masë: çarmatimi i popullsisë dhe mobilizimi në ushtri. Mirëpo si njërës, ashtu edhe tjetrës nuk i qe dhënë rëndësi. Shokët tanë kënaqeshin me punën e këshillave nacionalçlirimtare, të cilat në përgjithësi zëvendësonin kryepleqësitë.
Në krahina lëviznin të sigurt, Llesh Marashi, Marka Gjoni, Mark Martini, Prek Cali, Dom Nikolla i Shkrelit, Hasan Isufi, Dom Lazri, etj. Lëviznin dhe bënin punë kundër nesh, parulla me qindra përhapën dhe disa prej tyre u gëlltitën nga turma. Përpjekja me armë e shtoi vërejtjen e komandave tona dhe për likuidimin e këtij reaksioni u fillua një reaksion në të gjithë zonën e Korparmatës së 3-të.

Ky operacion na kushtoi edhe ne: vuajtje, material pune, pengesë pune dhe humbje në njerëz. Më shumë se 40 partizanë na janë vrarë me armikun prej Bërdicë në Vermosh, shumë të tjerë na janë plagosur dhe sëmurur. Por më shtrenjtë i kushtoi armikut: një pjesë e konsiderueshme reaksionarësh u zunë dhe u vranë, të tjerë u dorëzuan. Zonat u çarmatosën dhe po çarmatosën imtësisht. Familje u internuan. Ilegalët humbën bazat. Shtëpi u dogjën, pasuri u sekuestrua. Të dezertuarit u kthyen. Mobilizimi po vazhdon i gjerë. Një gjë veç është për t’u vënë re: Gjatë këtij operacioni ka shokë që i kanë marrë urdhrat të ngurta. Në përgjithësi nuk kanë ditur të bëjnë diferencimin me turmën e gabuar. Janë marrë shumë herë masa ekstreme dhe është torturuar popull.

Reaksioni ka gjetur dhe po gjen akoma vend për të mprehur shovinizmin e minoriteteve shqiptare tek kufirit: Hot, Gradë e Krajë. Kërkojnë me insistim të hidhen me ne. Nga sa kuptohet edhe organizata jugosllave nuk ka dërguar elemente të përshtatshëm për të punuar në këto krahina. Vlen të merret në studim të imët kjo çështje e unë kisha për të qenë i mendimit që të dërgohen shokë tanë për të punuar në atë anë dhe të mobilizohen e të dërgohen në luftë përkrah me divizionet tona në Jugosllavi.