MENU
klinika

Shqiptarët dhe... grekët

Pse do parë si e përbashkët, historia mes dy vendeve fqinje?

28.01.2020 - 18:21

      Një nga udhëtarët e famshëm të Ballkanit, etnologu e kartografi francez Guillaume Lejean, duke kujtuar me shumë dashuri shqiptarët dhe udhëtimet e tij në Greqi, shkruante në shënimet e tij se „gjaku i shqiptarëve është shumë i përzier me atë të helenëve“. Studiuesi tjetër Albert Dumont që udhëtoi në Shqipëri dhe në Greqi në vitet 1870, përmend shumë vendbanime arvanitase në thellësi të Greqisë, fshatra e zona të tëra, duke shkruar dhe për një nga figurat e familjes së Gjin Bua Shpatës, zotit të Artës dhe një nga luftëtarët e mëdhenj kundër osmanëve, të cilës i shton dhe historinë e lavdishme të Mërkur Buas, prijësit stratiot, i cili u shërbeu princave të Italisë dhe mbretërve mbretërve të ndryshëm të Evropës./Konica.al

Para se të ndërmerrte udhëtimin në Greqi, por edhe më pas, në përgatitjen e librit në dy volume, Dora d’Istria iu referua shumë udhëtarëve të huaj, historianë dhe njerëz të politikës. Për shqiptarët shkruanin dhe Edgar Quinet, Comte Marcellus, Flaubert, Louis Auguste, konti Frobin, Charles Blanc, etj… Para tyre, në vitin 1784, ambasadori francez në Konstantinopojë Choiseul-Gouffier, i cili disa herë udhëtoi nëpër Greqi, në La Grèce moderne, shkruante për shqiptarët e Livadhjasë, që «në të hyrë të kishës i lënë të lëshuara gërshetat e tyre». «Në Greqi, – shkruante ai, – ka dy lloj racash njerëzore të dallueshme dhe që njihen me lehtësi: raca e shqiptarëve dhe raca helenike. Në epoka të ndryshme, shqiptarët kanë pushtuar Greqinë kontinentale dhe Peloponezin». Ai i pikëtakoi shqiptarët dhe në Eubea: «Shqiptarët nuk e çajnë kokën shumë për të ardhmen e tyre. Ata janë shumë ekspansivë dhe zhurmëmëdhenj në momentet e gëzuara. Ne kënduam këngë franceze, greke, shqiptare. Një djalosh shqiptar 13 vjeçar ia dha me një zë të lartë. Dhe ndërkohë bashkëpatriotët e tij të ulur në një gjysmë-rrethi, përsërisnin në kor refrenin e këngës». Në Malin e Athos, ishte po një shqiptar që e shoqëronte ambasadorin francez. «Pushka që shkrehu shqiptari, paralajmëroi para mureve të manastirit, ardhjen tonë».

Por mjaft interesant ishte udhëtimi i Dora d’Istra-s në Athinë, ku gjurmët shqiptare ishin të shumta, madje dhe lart në Tatoi. Ca miq e çuan atë në „kullotat e shqiptarëve, në Tatoi“. „Këta shqiptarë kishin si prijës një grua të quajtur Kara Japina, – shkruante ajo. – Kur shkuam atje, ne pamë një shesh të rrumbullaktë, ku me ca dërrasa të punuara e shufra hekuri, shkërmoqnin kallzat e grurit. Ca fshatarë në këmbë, hipur mbi dërrasë dhe kapur pas supit të njëri-tjetrit, tërhiqeshin nga kuajt që vinin rrotull, të cilët i fshikullonin. Rreth çadrave, mbi pemë, thaheshin rroba, ndërsa kampi i tyre shtrihej nën ca pisha madhështore. Një shi i hollë na detyroi të strukeshim brënda, ku kishte qylyme dhe shajakë me djathtë pranë dollapit. Oxhaku ishte një rreth me gurë, në të hyrë të çadrës. Gratë mbanin mbi kokë një shami të rrotulluar bukur, ku nga balli, anash, u dilnin dy bukle. Një gërshet i gjatë e i zi u binte gjer në mes. Këmisha e tyre ishte qëndisur me ngjyra të ndezura gjatë gjithë krahëve. Mbanin gjithashtu përparëse dhe bluzë të bardhë… Ne hëngrëm darkë në një vënd të ngritur para kampit nga ku dukej Athina dhe deti…“

Dora D’Istria i ra kryq e tërthor Greqisë, duke ndaluar në Korint, Patras, Lepanto apo Tripoli e gjetkë. Tridhjetë vjet pas Revolucionit, Greqia ishte e zhurmëshme, entusiazte, festive dhe e këngës, por dhe e grindjeve, makinacioneve politike e prapaskenave midis prijësve. Sidoqoftë vëndi e tërhiqte pa masë. Ishujt ishin të mrekullueshëm. Meshat ishin ceremoniale të bukura. Në brigjet e Korintit ajo shikonte greket që lanin rrushin e zi në ujin e detit. Detaje të tilla të jetës së përditëshme, njerëzit që shkonin ta takojnë udhëtaren e bukur që vinte nga Evropa, mbrëmjet mes njerëzve të shumtë, gjithçka e frymëzonte. Në anijet dhe portet ku udhëtonte, jo rrallë i ndodhte të takonte njerëz të njohur, vendas, nga ata të kohës së Revolucionit apo të huaj, që ende vinin të shikonin Greqinë e pavarur. Kur ishte në bordin e anijes „Pahellinion“ të një kapiteni arvanitas, ai i tregoi se në anije ndodhej dhe nipi i Marko Boçarit. Dhe ajo kërkoi ta takonte. Edhe ai e kishte emrin Marko Boçari, si të mbante gjallë kujtimin e heroit, shkruan Konica.al. Ishte një oficer i ri që sapo kishte mbaruar shkollën ushtarake të marinës. Portreti i tij kishte hijen e suljotëve, të banorëve të Sulit, që siç shkruante ajo „Suli është lavdia e Shqipërisë së krishterë“. Në shënimet e saj ajo përmend dhe shqiptarët e Megarides, apo të atij fshati që gjëndej poshtë Daras, „i cili banohet nga arvanitasit“. Pikërisht atje, ajo kishte takuar dhe adjutantin e heroit të famshëm arvanistas Karaiskaj, që kishte rënë për lirinë e Greqisë. Ai burrë me tipare të spikatura, njërin nga krahët e kishte humbur gjatë betejës së Pireut.

Kjo ngjizje e shqiptarëve në jetën dhe historinë e grekëve, asaj i dukej e natyrshme, për vetë fqinjësinë e të dy popujve, që gjatë shekujve, kishin përballuar dÿndjet e armiqve të përbashkët. Kështu, dhe në fushën e kulturës, duke jetuar pranë njëri-tjetrit, ata kishin marrë dhe kishin dhënë. Një nga këto shprehje të kulturës ishte dhe fustanella shqiptare, e cila spikaste kudo nëpër Greqi. Dhe ajo do të shkruante për kostumet e grave dhe të burrave, për fustanellën e bardhë, ashtu siç kishte shkruar dhe admirali francez Julien de Gravière, i cili i kishte rrahur vite me rradhë portet e Greqisë. Autori i librit të njohur Stacioni i Levantes, (La Station de Levante), shkruante se «Shqiptarët formojnë një racë të veçantë në Evropë. Gjatë shekullit XVIII, këta luftëtarë malsorë e rritën me shpejtësi fuqinë e tyre. Të gjithë pashallarët kërkonin të kishin rreth vetes një gardë të përbërë nga mercenarë të tillë. Veshja shqiptare u bë e modës dhe otomanët më me rëndësi e mbajnë me krenari fustanellën e bardhë të shqiptarëve të jugut. Edhe vetë grekët, gjatë sundimit të Veliut, djalit të dytë të Ali Pashës në More, filluan të mbajnë këtë kostum dhe kështu doli uniforma elegante e palikarëve…» “Veshja shqiptare në Greqi, – kishte shkruar vite më parë kapiteni anglez Martin Leake, i dërguar i mbretit të Anglisë pranë Ali Pashë Tepelenës, – çdo ditë e më shumë do të bëhet më e zakonëshme, për shkak të ndikimit të madh të fuqisë shqiptare. Kjo vihet re në More, nga lulëzimi i madh i Hidrës, e cila është një koloni shqiptare si dhe e shtresave fshatare që kanë zënë vend në Moré; po ashtu dhe në provincat kufitare të Atikës dhe të Beotisë. Kjo veshje është më e lehtë dhe më praktike se veshja turke apo ajo greke”. Po kështu, studjuesi anglez G. Finlay, në librin e tij Historia e Greqisë, shkruante se “… Grekët e rinj, nga familjet e fisme, filluan të përdorin këtë lloj veshje, veçanërisht kur udhëtonin, mbasi kjo i lehtësonte në mbajtjen e armëve”.

Po kështu, kur do të krijohej shteti i ri i Greqisë së pas Revolucionit dhe kur Fuqitë e Mëdha dërguan atje princin Othon, që të fitonte zemrat e luftëtarëve më të lavdishëm të Revolucionit, kur hyri në Nafplio, në kryeqytetin e parë të Greqisë pas fitores së, ishte veshur me fustanellën e bardhë shqiptare. A nuk e kishte pikturuar këtë kostum dhe piktori i madh Delacroix, apo bashkëkohësi i tij Auguste Decamps në tablonë Vallja shqiptare? Edhe Lamare-Picquot, në kujtimet e tij ushtarake gjatë qëndrimit në Korfuz në vitet 1807-1814, duke shkruar dhe për «Regjimentin e shqiptarëve» nën flamurin e Napoléon-it, shkruante se «Vallja e tyre e parapëlqyer është vallja «pirrike» (e Pirros): dy luftëtarë të armatosur me thika në duar, afrohen ballë njëri-tjetrit duke tundur armët e tyre, të cilat i drejtojnë herë kundër njëri-tjetrit dhe herë kundër vetvetes. Një vijimësi lëvizjesh të forta dhe kërcime karakteristike, çka i bën të shprehin ndjenjat e tyre të furisë»… Henri Belle, autori i librit Tre vjet nëpër Greqi,[1] e çon më tej entusiazmin e tij, madje më shumë se ç’duhet, kur flet për shqiptarët e Greqisë, duke shkruar: „E thashë, elementi dominues është elemeti shqiptar. Gjithë Atika dhe Beotia, jugu i Eubesë, ishujt Hidra e Specaj, Andros, gjithë Argolidha dhe Karinthia dhe së fundi jugu i Elide-s e vargmalet që nga Alfea deri në gjirin e Navarinit, janë të banuara nga shqiptarët. Më 1830, bavarezët që zunë dhe gjithë funksionet zyrtare në oborrin e mbretit Oton, u detyruan të mësojnë gjuhën  shqipe… Edhe sot, në shumë fshatra, është e pamundur të kuptohesh nëse flet vetëm greqisht…“ Në librin e tij ai përshkruan episode të shumta lidhur me jetën e arvanitasve.

 

Një nga përshkrimet e bukura ishte ai i Chateaubriand-it, të cilën Dora e kishte lexuar në kujtimet e Chateaubriand gjatë udhëtimit të tij në Greqi, Udhëtim nga Parisi në Jeruzalem. Ndër të tjera, duke shkruar për arvanitasit, ai kujtonte dhe një histori të bukur: «Po lija Athinën dhe po shikoja një ëndërr të veçantë. Sikur më kishin dhënë kurorën e Atikës. Themeloja një universitet ku fëmijët e gjithë Evropës vinin të mësonin greqishten letrare dhe atë popullore… një tufë zviceranësh, dhe gjermanësh përziheshin me shqiptarët e mij. Më datën 27, ne shkuam tek një shqiptar që njihte z. Fauvel… Por u desh ta ndaloja udhëtimin nga ethet që më pushtuan në kasollen e këtij shqiptari. Ditën e kaloja shtrirë mbi rrobën time. Të gjithë njerëzit e shtëpisë shkonin në fusha. Madje dhe Josifi shkonte. Në shtëpi mbetej veç vajza e mikut tonë shqiptar. Ishte një vajzë 17 vjeçare, tepër e bukur, e cila ecte me këmbët zbathur dhe flokët e mbushur me monedha argjendi. Nuk merrej me mua, por punonte sikur të mos isha atje. Porta ishte e hapur dhe rrezet e diellit hynin në atë kthinë që ishte i veti vënd me dritë. Hera herës më kapte gjumi. Zgjohesha pastaj dhe shikoja shqiptaren që merrej me punë, duke kënduar me gjysmë zëri. Ndonjëherë i kërkoja ujë, «nero». Ajo më sillte një kupë plot me ujë dhe duke kryqëzuar krahët, ajo priste që unë të mbaroja. Kur mbaroja, ajo më thoshte «Kalo?», «A është i mirë»? dhe pastaj kthehej në punët e saj… Gjëja e parë që më ra në sy në Megare, ishte një grup grash shqiptare, që në të vërtetë nuk ishin aq të bukura sa Nausika dhe shoqet e saj. Të gëzuara ato lanin teshat pranë një burimi, ku dukeshin disa fragmente të një akuaduku të vjetër… Zbritëm pastaj te një shqiptar, ku u strehuam mjaft mirë. Pastaj erdhi dikush t’i shikoja të bijën. Shkova dhe gjeta atë krijesë të mjerë mbi rrogoz të mbuluar me ca zhele. Me pështirosje më zgjati krahun e saj të mbuluar me lecka, i cili ra mbi mbulesë. Ishte gjithë ethe. I hoqa nga flokët gjithë ato monedha që ie mbanin nxehtësinë në kokë, monedha me të cilat fshatarët shqiptarë zbukurojnë gërshetat e tyre. Me vete kisha kamfor kundër murtajës dhe atë e ndava me atë të sëmurë. E kishin ushqyer me rrush dhe u thashë se mirë kishin bërë. Pastaj u lutëm për shpirtin e Krishtit dhe Virgjëreshës, duke u premtuar se do të shërohej… Kur dola, gjeta një fshat të tërë që ishte grumbulluar para portës. Gratë u sulën drejt meje duke thirrur: «verë, verë»… Kështu ata donin të më shpërblenin, duke më detyruar të pija verë… Gjithë dhimbje, arrita më së fundi në kasolle. Në sy, gjatë gjithë natës, kisha imazhin e asaj shqiptareje që jepte e merrte me jetën. Dhe kjo më kujtoi Virgjilin, që duke vizituar si dhe unë tashmë Greqinë, kishte ndaluar në Megare i sëmurë dhe atje kishte vdekur…”

Gjatë udhëtimit në Greqi, veç vlerësimeve të saj mbi antikitetin grek dhe historisë së Revolucionit grek, një vend jo të pakët zë dhe bota arvanitase, shprehje e gjallë e asaj jete të përbashkët, e atij “gjaku të përzier të shqiptarëve dhe i grekëve” për të cilën shkruante dhe etnografi Guillaume Lejean. Por veç tij, të tjerë kishin shkruar për “botën shqiptare të Greqisë”, siç përshkruhej dhe në udhëtimet e lordit Byron, i cili ishte i rrethuar ngado nga shqiptarët dhe në veçanti nga suljotët trima. Një nga udhëtarët e hershëm të fillimit të shekullit XIX (më 1803-1804), studjuesi gjerman Bartholdy, në librin e tij Voyage en Grèce, shkruante dhe për arvanitasit e suljotët. Kur kishte hyrë në Lithada, për të cilën thoshte se “shumica e banorëve ishin shqiptarë”, ai pohonte se “në gërshetat e tyre të gjata, shqiptaret mbanin shumë monedha argjendi të lidhura në varg, ku në çdo lëvizje të trupit ato lëshonin tingëllime të rregullta, veçanërisht kur përkulnin kokën pas, çka u jepte atyre një pamje të hirshme”.

Disa dekada më vonë, historiani dhe arkeologu francez Albert Dumont, në veprën e tij Ballkani dhe Adriatiku, në kapitullin e tij të gjatë për shqiptarët, shkruante dhe për shqiptarët e Greqisë: “Shqiptarët e helenizuar gjënden kudo ku ka diçka heroike. Ata mund të jenë krenarë për pjesën e tyre të lavdisë. Ata i dhanë pavarësisë greke Karaiskain, Zaimin, Miaulin, Boçarin, Kanaris, e shumë të tjerë të lindur në Epir…“Po kështu, një studim të veçantë në këtë fushë kishte shkruar helenisti dhe linguisti gjerman J. P.h. Fallemeyer, i cili në veprat e tij Historia e gadishullit të Moresë dhe Elementi shqiptar në Greqi, ishte ndër të parët që shikonte në përbërjen genetike të grekëve modernë elementin e fuqishëm shqiptar. Edhe antropologu A. De Gobineau, studjuesi i antropologjisë dhe i racave njerëzore, duke folur për grekët, shikonte lidhjen e fuqishme të këtyre dy racave dhe fliste për “gjakun e përzier të dy popujve”.

Interesant është dhe fakti se në vitin e fundit të shekullit XIX, pra në vitin 1899, gazeta greke Helenizmi, botonte si një broshurë më vete dhe një thirrje të firmosur nga tre personazhe të njohura të asaj kohe: Sekos, Boçari dhe Xhavella (këta dy të fundit pinjollë të familjeve të mëdha suljote). Dhe në këtë thirrje drejtuar “vëllezërve tanë shqiptarë të Shqipërisë“, nisur nga rrënjët e përbashkëta pellazgjike, të dy popujt, grek e shqiptarë, pasardhës të pellazgëve, të bashkoheshin në një mbretëri greko-shqiptare, duke marrë shembullin e një mbretërie si Austro-Hungaria. Ishte pikërisht kjo histori që na zbulon Dora d’Istria në shënimet e saj, si dhe një mori letrarësh e historianësh të mëdhenj të shekullit XIX, duke na kujtuar sot, që historinë ta shohim të përbashkët dhe jo kundër njëri-tjetrit./Konica.al

 

Luan Rama

 

Për më shumë lajme klikoni në www.konica.al

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Frojdi, psikanaliza dhe letërsia

“Ëndrrat shprehin kujtime dhe njohuri”

Dumas: Si e njoha Ali Pashën

“Shqiptarët kanë ligj shpagimin”

Artur Rembo - poeti i mallkuar

“Shekspiri i mitur” i simbolizmit francez


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit