MENU
klinika

Nga Deutsche Welle

Pse ngutet Putin? Çfarë e frikëson presidentin rus?

27.01.2020 - 16:56

Çfarë do të thotë ngutia e Putinit për të bërë ndryshime në Rusi, për të ndryshuar Kushtetutën dhe për të zvogëluar kompetencat e presidentit? Ekspertët thonë se do të ketë kundërshtime edhe nga bashkëpunëtorët e tij.

Ka kaluar më shumë se një javë nga propozimi i presidentit rus Putin për ndryshimet kushtetuese. Ekspertët thonë, se reforma e propozuar i siguron Putinit një të ardhme të qetë politike. Rregullat e tanishme parashikojnë që presidenti nuk ka të drejtë të rikandidojë për këtë post, për të tretën herë me radhë.

Me ndryshimet e propozuara kushtetuese Parlamenti do të ketë më shumë fuqi, ndërsa posti i presidentit do të dobësohet. Do të ndryshojë edhe roli i Këshillit të Shtetit, i cili deri tani ka qenë një organ këshilldhënës, i përbërë nga presidenti, guvernatorët dhe persona të tjerë. Ky Këshill tani duhet të futet në Kushtetutë.

Putini propozon që për këto reforma të zhvillohet një debat sa më i gjerë i mundshëm në opinion. Planifikohet edhe një votim. Menjëherë pas propozimit të Putinit me 15 janar është takuar edhe një grup i punës, i ngarkuar me këto reforma.

Të hënën e kaluar Putini i ka dorëzuar Dumës propozimin e tij zyrtar. Të enjten Duma e ka miratuar këtë dokument me një shumicë të madhe votash, ndërsa në shkurt dokumenti do të lexohet për herë të dytë në Dumë. Tre nga katër shefat e grupeve parlamentare e kanë mbështetur këtë dokument.

Në pyetjen pse Putini po ngutet me këto reforma kushtetuese, zëdhënësi i tij Dmitrij Peskov tha se planet e presidentit kanë gjithmonë prioritet. Peskov nuk tha, se kur do të miratohen këto propozime për ndryshime kushtetuese, por shtoi se “nuk do të ketë zvarritje”

A është arritur marrëveshja?

Më vonë është konstatuar, se administrata e Putinit i ka kryer tani më shumë reforma, të cilat ai i ka paralajmëruar në fjalimin e tij. Grupi i punës ka pranuar, se këtë javë “vetëm ka saktësuar disa gjëra”, ndërsa gjërat kryesore i ka propozuar presidenti. Analisti i pavarur politik Abas Galijamov thotë për DW, se “Kremlini i ka hartuar vet të gjitha propozimet dhe se askush nuk do t’i ndryshojë ato“. Aleksandar Pozhalov, drejtor i Institutit për studime socio-ekonomike dhe politike është i bindur, se Duma do të bëj vetëm disa ndryshime të vogla në reforma.

Mediat njoftojnë, se votimet mund të bëhen në prill. Ndërsa Abas Galijamov është i bindur se i gjithë debati është vetëm mashtrim i opinionit, për të krijuar bindjen se opinioni mund të influencojë marrjen e vendimeve politike. Në sondazhin e një instituti shtetëror thuhet, se 68% e rusëve i mbështesin propozimet për reforma.

Pse po ngutet?

Kritikët e presidentit thonë se Putini ka frikë. Putini kujton shumë mirë gabimet e paraardhësve të tij, pohon Galijamov. Një nga këto gabime është “Perestroika” –  e cila ka shkaktuar edhe shkatërrimin e BRSS. Idetë e Putinit mund të shkaktojnë përçarje në sistemin e pushtetit. Shumë grupe kundërshtare do të përpiqen të shfrytëzojnë këtë gjendje. Sa më shumë që bisedohet për reforma, aq më shumë do të shtohen presionet e mundshme ndaj presidentit, që mund të rezultojë me presione dhe konflikte të brendshme, thotë Pozhalov për DW.

Çfarë do të ndodhë me Putinin?

Kremlini kërkon reforma, por njëkohësisht po përpiqet ta mbajë gjendjen nën kontroll. Kushtetuta e Rusisë parashikon mbetjen e Putinit në postin e presidentit deri në vitin 2024, por pas këtij mandati ai nuk ka të drejtë të rikandidojë. Analistët mendojnë se ai planifikon të mbetet në krye të Këshillit Shtetëror. Mundësia e dytë do të ishte që Putini të marr një rol më të rëndësishëm në Parlament apo në Këshillin e Sigurisë. Por ai mund të kthehet edhe në postin e kryeministrit.

Putini me siguri që do të mbetet në postin e presidentit deri në vitin 2024. Ai ka kohë pra që të vlerësojë gjendjen dhe të vendosë, se nga cili post mund të vazhdojë dominimin e tij në politikën ruse.

Emily Sherwin, Deutsche Welle