MENU
klinika

"Artisti i mallkuar"

Pse piktori bohem e kishte zili Pikason?

24.01.2020 - 16:41

      “Detyra juaj e vetme është të ruani ëndrrat”, – i shkruan Amedeo Modigliani mikut të tij, Oscar Ghiglia, më 1905.

Më 24 janar 1920, në një spital të Parisit, vdiq Amedeo Modigliani, goditur në moshën 35-vjeçare nga meningjiti tuberkular, faza përfundimtare e tuberkulozit pulmonar që e ishte prekur në moshë shumë të re. Është një dimër i acartë, artisti më në fund po fiton famë dhe sukses. Në Paris ka miq të shumtë, shokë të gotës dhe admirues, të gjithë të magjepsur nga karizma dhe personaliteti i tij unik. Planifikon të kthehet në Itali, në Livornon e dashur, për një kohë ose përgjithmonë, së bashku me partneren, piktoren Zhan Hebytern, e cila pret fëmijën e tij të dytë. Mirëpo, ëndrrat dhe qëllimet e mira shpesh përplasen me realitetin e ashpër: me një ekzistencë të shqetësuar, të drobitur nga teprica, shenjuar nga përzierja e madhështisë dhe mjerimit. Pikëlluar nga dhimbja, një ditë pas vdekjes së partnerit, Zhan Hebytern kryen vetëvrasje, duke u hedhur nga kati i pestë. Në varrimin e Modiglianit janë të gjithë: Pikaso (të cilin e kishte zili për stilin e pashembullt), Max Jacob, Andre Derain, Maurice Vlaminck, Paul Guillaume…

Një procesion i gjatë dhe solemn shoqëron arkivolin në varrezat “Père-Lachaise”. “Vdekja e mori kur i erdhi lavdia” është gdhendur në varrin e artistit, ku shumë vite më vonë do transferoheshin edhe eshtrat e të dashurës së zemrëz, Zhan: “shoqëruese e përkushtuar deri në sakrificën ekstreme”. Ky është fundi tragjik i jetës së shkurtër dhe të trazuar të Amedeo Modiglianit, si dhe lindjes së  legjendës së tij. Prej atij momenti, ai do të ketë reputacionin e “artistit të mallkuar”. Thashetheme dhe anekdota pak a shumë të vërteta do të qarkullojnë në emër të tij. Është e vështirë të ndërtohet një portret i saktë dhe legjitim, i paerrësuar nga të rejat dhe kornizat mashtruese./Konica.al

Amedeo Clemente Modigliani lindi në 12 korrik 1884 në Livorno, në një familje borgjeze të komunitetit hebre, i fundit nga katër fëmijët. Thuhet se arti nuk ishte obsesioni i vetëm i Modiglianit: ishte edhe alkooli dhe droga, zakone të përbashkëta të shumë prej artistëve në Parisin e fillimshekullit XX. Siç nënvizon edhe Corrado Augias në librin “Modigliani, romantiku i fundit”, në rrëfimin e jetës së këtij artisti atipik “historia dhe legjenda janë aq të ndërthurura, sa janë thuajse të pashpjegueshme. Edhe dëshmitë e të njohurve janë kontradiktore”. Ka nga ata që lartësojnë shpirtin bujar e të sjellshëm dhe kulturën e shkëlqyer (Modigliani e kishte zakon të recitonte vargje të Dantes ndërsa pikturonte), të tjerë që e konsiderojnë pijanec dhe grindavec, po edhe nga ata që ende e krahasojnë me një “Antinoo” modern për kaçurrelat dhe qëndrimin joshës. Amedeo Modigliani është piktori më përfaqësues italian i epokës boheme.

Vlerësuar në mjediset pariziane të fundvitit 1800 dhe fillimit të viteve 1900, arti i këtij piktori bëri histori: portretet e tij të grave, të ngjashme me imazhet onirike njihen nga të gjithë. Në “Ville Lumière”, i zhytur në avangardën artistike të asaj kohe, Amedeo kishte gjetur energjinë e nevojshme për të qenë i pathyeshëm, si artist, si zot dhe si mbajtës i së vërtetës dhe dijes. Gati kishte arritur t’ia fshehë edhe vetes sëmundjen, varësinë dhe fatin tekanjoz. Kultura, erudicioni, talenti, hijeshia dhe karizma, ishin pjesa tjetër e medaljes për ta bërë të paharruar artistin./Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Harmoni paralele me natyrën”

Arti i ngjyrave tek Pol Sezani

Vepra shfaqet pas 20 vjetësh

“Dora Maar” e dashur dhe muzë e Pikasos