MENU
klinika

Sindroma Stendal

Psikologu më i madh i shekullit

23.01.2020 - 15:30

        “Unë nuk e njoh veten dhe kjo është ajo që nganjëherë më pikëllon”.

    Stendali, autori i “E kuqja dhe e zeza”, “Manastiri i Parmës” etj. lindi në Grënobël më 23 janar 1783, me emrin e vërtetë Henri Beyle, humbi nënën kur ishte vetëm shtatë vjeç. Më pas, pati një fëmijëri të vështirë mes të atit, prokuror në parlamentin Dauphiné, Serafisë, tezja nga nëna që u kujdes për edukimin e fortë, si dhe famullitarit Rajlan, kleriku që e terrorizonte. “E urreja famullitarin, e urreja babanë, burimin e fuqive të famullitarit. E urreja edhe më shumë fenë, në emër të së cilës më tiranizuan”,  – do të shkruante autori në “Jeta e Henry Brulard”, autobiografi imagjinare botuar pas vdekjes, në 1890. Prej tij ka marrë emrin edhe sindroma Stendal, e njohur ndryshe si sindroma e Firences (qytet në të cilin është manifestuar shpesh), një dashuri psikosomatike që vëzhgohet në subjekte të vendosura para veprave të artit./Konica.al

Henry Beyle shkoi nga Grënobla në Paris, si nxënës i shkollave të mëdha napoleonike. Studioi për matematikë dhe ideologji pasionesh. Me sa duket, ishte dega e dytë që duhej të linte shenjën e saj, pasi libri i parë i nënshkruar Stendal, antimaterialisti “Dashuria”, mbart një përkushtim për mjeshtrin e rinisë, për Destutt de Tracy, i cili hiqte vija në libra dhe shënonte pika në dërrasën e zezë për të vendosur rendin në pasionet njerëzore dhe për të larguar frikën. Universi stendalian zë një territor të gjerë, shpesh i konsoliduar fare lehtë. Zonat që përjashtojnë kufijtë e tij, hera-herës vrullshëm, lejojnë të hyjnë fjali që komplikojnë homogjenitetin. Të kuptosh këtë shkrimtar, t’i gjesh një estetikë dhe një etikë, kërkon të mos ndalesh së thjeshtuari emërtimet, qoftë edhe me një vëzhgim të thjeshtë, të ngadaltë. Stendali është kontradiktor. Deri në fillim të shekullit të 19-të, romani konsiderohej një art i zakonshëm, një “gjithçkakapje”, inferior ndaj poezisë dhe teatrit, kodi i të cilit mbrohej me xhelozi nga klasikët. Romani është një laborator ku përzihen filozofia, narracioni dhe idetë e reja. Roman-rrëfimi ishte reagimi ndaj industrializimit dhe urbanizimit, konkluzioni, shfaqja e  nevojës së ekzistencës të një narratori që flet në vetën e parë, lulëzimi i autobiografive dhe ditarëve. Mes një stuhie romantike, Stendali shkroi një libër kundër rrymës, pa dëshiruar të bënte asnjë gjykim moral apo filozofik: ai synonte të kuptonte faktet, para se të vendoste nëse një personazh i tillë ishte sublim ose i padenjë.

Për herë të parë, në rastin e Stendalit, një shkrimtar përcakton lidhjet e individit me mjedisin e tij politik, ekonomik dhe shoqëror. Stendal përshkruan me përpikëri një shoqëri që kushtëzon njerëzit, identifikon konfliktet e tyre me mjedisin dhe kontradiktat e tyre sentimentale, për shembull revoltat e Zhylien Sorelit kundër ndjesive autoritare të aristokrates Mme dë Renal, me gjithë lidhjet që i bashkonte. Stendal është para së gjithash një shkencëtar, me dhuntinë e sensit vëzhgues dhe analizues. Çdo fjali është një përqendrim informacioni. Po ashtu, ai është shumë emocional, provë e gjallë raporti me Italinë: “Është një fatkeqësi, – shkruante ai, – të kesh njohur bukurinë italiane …” -. Ai është i kujdesshëm ndaj ekzaltimeve, madje edhe për të përfaqësuar njerëz të ekzaltuar si Zhyljen Soreli. “Bëj çdo përpjekje që të jem i thatë, – thotë ai në “Dashuria”. – Dua të imponoj qetësi në zemrën time, e cila beson se ka shumë për të thënë”. Stendal e veçon veten nga romantizmi dhe romani historik për të hedhur themelet e realizmit. “Psikologu më i madh i shekullit, sipas Taine, – ka pak imagjinatë: ai duhet të mbështetet në fakte. …Gjeniu i romanit gjallëron të mundshmen, nuk gjallëron realen”. Stendali është një idhull, sepse nuk kufizohet në egon e zemrës, por është i zhytur në histori. Merime, mburrej se e njihte mirë Stendalin. Ndërsa në “Kujtimet e egotizmit” (1832), Stendali thotë, se nuk i besonte syve të Merimesë dhe, për më tepër, nuk ndjehej mirë të fliste për gulçet e zemrës, për orë të tëra, përpara një kafeje.

“Para se të shpikte histori, Stendali u përpoq të kuptonte politikën dhe e donte çmendurisht lirinë. Literatura e tij nuk vjen nga koka, por nga zemërimi, nga tërbimi i dashurisë, luftës, pasionit. Lind nga historia, private dhe kolektive”, – shprehet Andrea Bianchi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përsosmëria

Kodikët e Da Vinçit


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit