Zhvillime interesante do të ketë në sferën politike në Kosovë gjatë ditës. Fillimisht, nga ora 10:00 do të vazhdohet mbledhja e kryesisë së LV-së, e lënë në gjysmë. Nga ora 14:00 do të takohen në Kuvend, Albin Kurti e Isa Mustafa. Në mesditë përfundon edhe afati 48 orësh i presidentit Hashim Thaçi për Kurtin.
Albin Kurti nga ora 10:00 do të mbledhë për herë të dytë brenda javës kryesinë e partisë në të cilën ai udhëheq, për të diskutuar për mandatarin.
Mbledhja e djeshme ishte lënë në gjysmë, pasi që Kurti me një pjesë të partisë ishin nisur për në Kuvend të Kosovës, aty ku u takuan me liderët e LDK-së, në krye me Isa Mustafën.
Për më shumë se tre orë mbledhje, asgjë nuk është bërë progres në negociatat mes dy partive. Për më tepër, liderët edhe të martën u dakorduan për t’u parë përsëri. Para mediave, Mustafa tha se nuk ka qenë i hidhëruar me Kurtin.
“S’jemi kanë idhnushëm me Albin Kurtin, kemi me u taku nesër”– tha shkurtimisht ai.
Takimi do të mbahet sot në ora 14:00 në objektin e Kuvendit të Kosovës, kanë konfirmuar të dyja partitë.
Një orë pas nisjes së takimit Kurti-Mustafa, përfundon edhe afati 48 orësh që presidenti Hashim Thaçi e ka dhënë për kreun e LV-së, që të propozojë mandatarin.
Pas takimit që zgjati vetëm pak minuta, Thaçi kishte shkruar në Facebook se do ta priste 48 orë për propozimin liderin e LV-së, në të kundërtën ka kërcënuar me ndërmarrje të veprimeve kushtetuese dhe ligjore.
“Gjatë takimit të shkurtë konsultativ, i cili nuk mund të ketë efekte ligjore, presidenti nuk ka përmendur kurrfarë afatesh dhe nuk e ka përmendur shprehjen ’48 orë’, e që më vonë është mundur të lexohet në publikimin e tij në Facebook. Gjatë takimit, i cili ka zgjatur më pak se 6 minuta, në dhomë kemi qenë 6 persona”– tha Kurti.
Afati i dhënë nga Thaçi është kundërshtuar edhe nga njohësit e cështjeve kushtetuese.
Mazllum Baraliu ka deklaruar se nuk ka afat kohor kur LVV duhet të propozojë mandatarin, dhe se rrjedhja e afateve kohore për formimin e qeverisë fillon në momentin kur LVV do të dërgojë tek presidenti emrin e kandidatit për kryeministër.
Pasi të ndodh kjo, ai theksoi se rrjedh afati prej 15 ditësh për t’u formuar Qeveria. Baraliu shtoi se kushtetuta e vendit do të duhej të përcaktonte të gjitha afatet, pasi sipas tij po krijohen shumë paqartësi.