MENU
klinika

"Pala tjetër të mos vonohet!"

Reforma/ Bylykbashi dhe Vasili-dakordësues me mazhorancën

14.01.2020 - 13:13

Lulzim Basha bëri me dije se opozita ka mandatuar Oerd Bylykbashin dhe Petrit Vasilin si dakordësues me mazhorancën për miratimin e Reformës Zgjedhore.

Ky është hapi i radhës i PD që tregon do të përfshihet në një dialog dakordësimi në këto kushte me mazhorancën sa i përket miratimit të ‘Zgjedhores’.

Kryeopozitari akuzon mazhorancën se ka vonuar për 4 muaj miratimin e Reformës Zgjedhore ndërsa deklaron se opozita është gati për nisjen dhe përfundimin pa vonesë të saj.

“Prej muajit tetor opozita e bashkuar ka insistuar në një mekanizëm transparent për të përfunduar Reformën Zgjedhore që i paraprin procesit të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Prej shtatorit është kusht i patejkalueshëm i Bundestagut.

Kanë kaluar 4 muaj dhe ky proces është zvarritur, në mungesë vullneti nga pala tjetër. Sot opozita e bashkuar rikonfirmon qëndrimin për nisjen pa vonesë dhe përfundimin një orë e më parë të reformës zgjedhore dhe mandaton Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili për të dakordësuar miratimin e Reformës Zgjedhore, duke i qëndruar plotësisht pikave të parashtruara në tetor.”– tha Basha, ndërsa përsëriti 3 kërkesat e përfaqësuesve të opozitës në takimin e orës 13.00 për reformën zgjedhore:

1- Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike
2- Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive
3- Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike

Kryedemokrati zbuloi disa nga hapat që do të marrë nga opozita e bashkuar për Reformën Zgjedhore.

Duke folur për media, Basha nuk la pa përmendur dhe faktorin ndërkombëtar, teksa tha se kanë dhënë një ndihmë të jashtëzakonshme për të shtyrë drejt një produkti, që nuk duhet vonuar më asnjë çast.

“Falënderoj faktorin ndërkombëtar, për ndihmën e jashtëzakonshme që kanë dhënë për të shtyrë drejt një produkti që është vonuar katër muaj dhe s’duhet të vonohet më. I bëj thirrje palës tjetër të mos vonojë më asnjë çast për t’i dhënë shqiptarëve Reformën Zgjedhore. Nuk ka tryezë nga komisioni i posaçëm. Ne, me ndihmën e faktorit ndërkombëtar, kemi mundësuar një proces, ku të dakordohen mbi propozimin tonë të tetorit. Çdo vendim me konsensus dhe transparencë totale”, tha Basha.

Ndërkohë, pyetjes, nëse do preket çështja e sistemit zgjedhor, Basha iu përgjigj: “Në emër të opozitës së bashkuar dua të rikonfirmoj se jemi dhe mbetemi të hapur për të diskutuar çfarëdo sistemi, që ata duan të praktikojnë në zgjedhjet e ardhshme, në mënyrë transparente. Problemi kryesor ka qenë shit-blerja e votës, mosndëshkimi i krimeve elektorale”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN