MENU
klinika

Historia e basketbollistit 42-vjeçar

Rekordi, luajti kundër yjeve të NBA për 4 dekada

06.01.2020 - 16:37

Mund të mos jesh më i miri, por sërish mund të shkruash një pjesë të historisë vetëm me prezencën tënde. Një ndër ta është edhe basketbollisti 42-vjeçar Vince Carter.

Lojtari i Atlanta-s ka debutuar në vitin 1999 në NBA, me fanellën e Toronto-s, duke lënë shenjë në 10-vjeçarin e parë të karrierës së tij (1990-1999).

Në vitet ’90 ka luajtur kundër Michael Jordan, ndërsa tani luan sërish në NBA kundër yjeve të rinj të basketbollit. Ai është bërë lojtari i parë në historinë e NBA-së që luan në 4 dekada të ndryshme.

Basketbollisti ka vijuar të luajë edhe në dekadën e dytë të karrierës së tij (2000-2009), asokohe me New Jersey dhe Orlando. Më pas erdhi dekada e tretë, 2010-2019, ku Vince Carter ka luajtur në NBA me skuadrat e Phoenix, Dallas, Memphis, Sacramento e Atlanta.

Ndërkohë që karriera e yllit të NBA-së vijon ende edhe sot, teksa ka nisur dekadën e tij të katërt (2020-2029). Në ndeshjen ndaj Indiana-s, basketbollisti Vince Carter u bë lojtari i parë dhe i vetëm në historinë e NBA-së që luan në katër 10-vjeçarë të ndryshëm.

Lojtari ka luajtur mbi 1500 ndeshje në NBA, një nga 5 lojtarët që e ka kaluar këtë shifër në historinë e basketbollit amerikan.

Në tetor, ai u bë basketbollisti i parë që arrin të luajë në NBA për 22 sezone radhazi, edhe pse deri më tani nuk ka fituar ende asnjë titull kampion.

Carter ka fituar edhe medaljen e artë me Amerikën ne “Sidney 2000”, ndërkohë që 8 herë ka luajtur në “All Star Game”. Një karrierë mbresëlënëse që do ta kishin zili edhe yjet e NBA.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


5 basketbollistët me më shumë takime

Arrin 1500 ndeshje në NBA pa fituar gjë