MENU
klinika

“Kisha vetëm 50 dollarë në xhep”

Rrëfehet Vata: Nga arratisja në Paris, te Celtic

08.01.2020 - 19:12

Në fund të vitit të kaluar, Rudi Vata, ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, që ka luajtur për Celtic në Skoci, është emëruar këshilltar sportiv i klubit të Mouscron, që militon në elitën e Belgjikës.

Natyrisht, emërimi i një personazhi të tillë ka ngjallur interes në median belge, sidomos sa i takon sa kaluarës, ku se si një djalosh shqiptar me çantën në krah shkoi te Celtic.

“Fillova karrierën time profesionale në moshën 18-vjeçare. Isha një prej mbrojtësve të qendrës më të mirë në vendin tim. Në vitin 1991, pas një ndeshje të Shqipërisë kundër Francës në ‘Parc Des Princes’, vendosa të qëndroja atje.

Unë kisha lindur në një vend që gjendej nën diktaturë prej 45 vitesh, neve na privohej liria, ne nuk mund të bëheshim personat që ëndërronim të bëheshim.

Pas ndeshjes ndërrova fanellën me Cantona dhe atëherë i thashë trajnerit tim që nuk do të kthehesha, që kisha nevojë për liri, ishte momenti më i mirë që të zhvillohesha.

Nuk kisha më shumë se 50 dollarë në xhep dhe vetëm çantën e sportit. Asokohe më refuzuan azilin politik, meqë nuk isha i torturuar apo keqtrajtuar”, – u shpreh fillimisht Vata.

Rudi Vata e nisi karrierën e tij te Le Mansh, teksa rrëfen: “Atje dëmtova kaviljen, nuk kisha siguracione. Klubi kishte gjetur një marrëveshje me një sponsor të një ekipi në kategorinë e katërt, që më mundësoi që të paguaja për operacionin”.

Më pas ish-kapiteni i Shqipërisë tregon: “Regjimi totalitar ra një vit më vonë në Shqipëri. Trajneri i Kombëtares më kërkoi që të kthehesha në vend, por unë u nisa për të luajtur në Dublin.

Në ndeshjen ndaj Irlandës, ku unë u zgjodha lojtari i ndeshjes, Leam Brady, trajner i Celtic, gjendej në tribunë. Shkova dhe firmosa për katër vite. Atje kam fituar Kupën e Skocisë. Ishte një eksperiencë shumë e  bukur.”

Nga Skocia në Gjermani, Vata zbulon edhe aventurën atje: “Kur arrita te Cotbus, më quanin Beckenbaueri shqiptar, trajneri tallej me këtë. Në Gjermani, nëse nuk je 20% më i fortë se një gjerman, nuk luan dot.

Kam mësuar 6 gjuhë të huaja gjatë karrierës time, kam zbuluar kultura të ndryshme, kam pasur gjithmonë uri për sukses. Dëshiroja të isha kapiten i Shqipërisë që kur isha i vogël.

Kam mbajtur në 37 ndeshje shiritin në kombëtare. Kam qenë trajner në Shqipëri për 6 muaj. Por nuk është e thjeshtë kur ke punuar jashtë që të ndryshosh mentalitetin në shtëpi”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN