MENU
klinika

Rrëmbimi dhe vrasja e Jan Prengës

Shkodra ‘pushtohet’ nga RENEA

30.01.2020 - 09:26

Policia vijon aksion për kapjen e urdhëruesve të rrëmbimit të Jan Prenga.

Mësohet se aksioni është shtrirë në Shkodër, që në orët e para të mëngjesit.

Në këtë operacion për kapjen e shtetasve M.B., G.D., dhe K.G., marrin pjesë dhe forcat RENEA.

Ndërkohë, në kërkim është shpallur edhe shtetasi me iniciale D.R. nga Vlora. Kujtojmë se deri më tani janë arrestuar 5 persona në lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e 49-vjeçarit, i cili u mor peng në 17 janar të këtij viti në Kamëz. Dyshime të forta që trupi i pajetë i 49-vjeçarit mund të jetë groposur në territorin e Shijakut, ndërkohë që deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tij.

PENGMARRJA
Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se pengmarrja e Jan Prengës është urdhëruar nga një grup i strukturuar kriminal, me bazë në Angli, dhe i përbërë kryesisht nga shqiptarë. Burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit konfirmojnë faktin se vëllai i Jan Prengës, që jeton në Angli, është kontaktuar nga një grup i fuqishëm që me kamionin e tij të nxjerrë nga Mbretëria e Bashkuar mbi 300 kg kokainë, që mbërrinte nga Amerika Latine.

Nga përgjimet rezulton se ai e ka marrë lëndën narkotike, por nuk e ka dorëzuar në destinacion. Për këtë, mendohet se grupi kriminal ka urdhëruar marrjen peng të vëllait të tij, Jan Prenga, i cili për shkak të torturave të shumta, ka gjetur vdekjen.

Nga hetimet rezulton se katër personat e arrestuar janë thjesht ekzekutorët, që kanë dhunuar e zhdukur trupin e Jan Prengës, por urdhri ka ardhur nga një grup i strukturuar me bazë në Angli.

Njoftimi i plotë:

Në vijim të operacionit “Resorti”, Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Speciale Renea dhe DVP Shkodër, ka vijuar kontrolle të pandërprera, me qëllim sigurimin e provave për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes mbi rrëmbimin e shtetasit J. P., të ndodhur në rrugën “London”, Kamzë, si dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje me pasojë humbjen e jetës së shtetasit J. P.

Në këtë kuadër, në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e saj, mëngjesin sotëm janë ushtruar kontrolle në banesa, biznese, magazina e objekte të braktisura dhe si rezultat i kontrollit janë siguruar prova të vlefshme që shërbejnë për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.

Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë  e Tiranës, vijon veprimet për sigurimin e çdo prove të vlefshme që i shërben ngjarjes, si dhe për kapjen e personave të tjerë që janë të implikuar në këtë ngjarje.

Për më shumë lajme vizitoni www.Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Projektligji i vetting-ut në politikë

Basha sqaron platformën e vetting-ut: Kush nuk kalon