MENU
klinika

"Drejtësia e re, shpresa e fundit"

21 Janari/ Familjarët e 4 viktimave homazhe në bulevard

21.01.2020 - 12:14

Në 9-vjetorin e 21 Janarit, familjarët e katër viktimave të shoqëruar nga disa deputetë dhe eksponentë të Partisë Socialiste kanë bërë homazhe në bulevard, në vendin që u ekzekutuan.

Në këtë 21 janar nuk ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama, pasi ndodhet në Ukrainë, në një vizitë në krye të Presidencës së OSBE-së.

Ceremonia përkujtimore për katër të vrarët në bulevard zgjati vetëm pak minuta.

Pas vendosjes së luleve, familjarët dhe socialistët u larguan.

***

Mbushen nëntë vite nga 21 Janari i vitit 2011, kur Garda e Republikës, asokohe nën komandën e ish-komandantit Ndrea Prendi, ish-ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha, hapi zjarr ndaj protestuesve të thirrur nga Partia Socialiste para Kryeministrisë, duke vrarë katër protestues të pafajshëm dhe plagosur gjashtë të tjerë. Nga protesta mbetën të vrarë; Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite. Ajo që nuk është përcaktuar ende është arma nga u qëllua Aleks Nika, sepse plumbi që kishte bërë rikoshet rezultoi mjaft i dëmtuar.

Ndërkohë që para dy viteve dosja u rikthye sërish në gjykatë. Garda e Republikës rikthen procesin e 21 Janarit në gjykatën e Tiranës duke i kërkuar ish-kreut të saj Ndrea Prendit dhe gardistit Agum Llupo të kthejnë në arkën e gardës faturën prej 2.1 milionë euro që garda ka paguar si dëmshpërblim për viktimat e 21 janarit. Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika, të vrarë me duar në xhepa në protestën e 21 Janarit 2011 janë shpallur ‘Dëshmorë të Atdheut’. Ndërkohë që familjarët vijojnë që të kërkojnë drejtësi, apel të cilin ata e përsërisin cdo vit duke pasur shpresë se drejtësia e re do bëjë drejtësi për katër të vrarët.

Organet e reja të drejtësisë që janë ngritur dhe po ngrihen janë shpresa e fundit e familjarëve për të hetuar në mënyrë shteruese dhe të paanshme ngjarjet e 21 Janarit, duke vënë protagonistët para përgjegjësisë. Bëhet fjalë për Byronë Kombëtare të Hetimit, Prokurorinë Speciale dhe Gjykatat e Posaçme. Kushtetuta e re dhe ligji për SPAK ka hequr kufizimet kohore për Byronë e Hetimit dhe Prokurorinë Speciale, për hetimin e çështjeve të ndryshme, sidomos kur të implikuar janë funksionarë dhe ish-funksionar të lartë. Komisionet e Vettingut shkarkuan disa nga gjyqtarët dhe prokurorët e dosjes së 21 janarit.