Është grumbulluar 2 herë nga Christian Panucci në Kombëtaren shqiptare, por pa pasur mundësi të luajë me ekipin e parë, ndërsa me Shpresat i ka shënuar edhe Italisë U-21.
Fjala është për Giacomo Vrioni, tashmë zyrtarisht futbollist i Juventusit. Sulmuesi shqiptar u prezantua sot si lojtari më i ri i kampionëve të Italisë.
Drejtuesit e Juventusit arritën marrëveshjen me Sampdorian, që kishte kartonin e shqiptarit, për të siguruar shërbimet e 21-vjeçarit, i cili do të nisë një aventurë të re.
Vrioni u aktivizua sezonin e kaluar me Venezian, ndërsa pjesën e parë të këtij sezoni u aktivizua me Cittadella-n. Megjithatë, Vrioni nuk do të ketë mundësi të luajë krah Cristiano Ronaldos, pasi do të inkuadrohet me Juventus U-23.