MENU
klinika

"Paguajmë taksat"

Të blesh mes baltës, ankohen tregtarët e Beratit

04.01.2020 - 17:03

Tregjet e fshatrave janë një problem në Qarkun e Beratit, pasi çdo ditë të javës zhvillohen në bashki të ndryshme, por nuk plotësojnë kushtet higjeno-sanitare.

Një i tillë është edhe tregu i hapur që zhvillohet një herë në javë në fshatin Lumas të bashkisë Kuçovë. Siç duket edhe nga pamjet, tregu fshatar ku tregtohet gjithçka, që nga produktet ushqimore, djathi, gjalpi, ushqim për kafshët etj., është i shtrirë në rrugë, në mes të baltës dhe mbeturinave.

Shumë pranë fshatit Lumas, në anë të lumit, tregu është i hapur në një shesh ku mbizotëron vetëm balta gjatë stinës së dimrit dhe pluhuri gjatë verës, ndërkohë që banorët e zonës e frekuentojnë këtë treg sepse produktet vijnë të freskëta dhe me çmime më të lira se në dyqane.

Me çadra dhe banake të improvizuara, tregtarët ambulantë bëjnë sa munden, ndërkohë që pranojnë se kushtet e punës lënë shumë për të dëshiruar. Pikërisht në këto kushte tregtarët ushtrojnë çdo javë veprimtarinë e tyre dhe pse bashkia u merr një taksë tregtarëve, nuk ka përmbushur për ta as kushtet më minimale të tregtimit.

Çdo javë këtu rreth 100 tregtarë shesin produktet e tyre jashtë çdo kushti higjeno-sanitar dhe kjo ka sjellë jo vetëm ulje të shitjeve por edhe kalbje të produkteve. Tregtarët shprehen se vendi ku ata tregtojnë në fshatin Lumas nuk është i përshtatshëm, por nuk ka zgjidhje tjetër. Ata ankohen se askush nuk ka vënë dorë asnjëherë në këtë treg, qoftë edhe për ta shtruar të paktën me çakull, edhe pse ata i paguajnë rregullisht taksat e tregtimit.

Nga ana tjetër, burime pranë bashkisë së Urës Vajgurore, bëjnë me dije jashtë kameras se problemi i tregjeve ka mbetur i pazgjidhur si pasojë e mungesës së fondeve, që e bën të pamundur investimin në tregun e Lumasit por edhe në tregje të tjera.