MENU
klinika

"Duhet të keni një hartë të re sizmike"

“Tërmeti, mësim për Shqipërinë”, flet sizmologu grek

10.01.2020 - 19:37

Akademia e Shkencave mblodhi në një konferencë në Tiranë ekspertë dhe akademikë nga rajoni ku u diskutua ndër të tjera përpilimi i kodit të ri teknik për ndërtimet, në mënyrë që t’i rezistojnë forcës së tërmetit ashtu siç e kanë gjithë vendet europiane.

Tërmeti i 26 nëntorit është padyshim mësim për Shqipërinë, e cila është ende në fuqi kodi i vjetër prej tre dekadash, me kushtet e vjetra teknike, antisizmike.

Profesori i mirënjohur i gjeologjisë në universitetin e Selanikut, Spiros Pavlidesi bën thirrje qeverisë tonë të miratojë hartën e re sizmike pas tërmetit te 26 nëntorit.

Profesor Pavlidesi propozon madje që Shqipëria mos t’i referohet vetëm eurokodeve por të përpilojë një kod të sajin siç ka bërë Greqia.

“Shqipëria është një nga vendet më sizmike të rajonit. Nuk mund të bëhen parashikime për tërmetet por në bazë të statistikave, çdo 30 vjet në Shqipëri ndodh një tërmet i fuqishëm. Duhet të ndërmerren hapa shkencore dhe ligjore në mënyrë që qëndrimet e reja të jenë të qëndrueshme. Ne në Greqi kemi kodet më të mira sepse ishin tërmetet ata që na përcaktuan kodet e reja. Sot kemi kodet greke dhe europiane, por në disa pjesë kodi grek është më i mirë. Harta sizmike dhe kodet ne i ndryshojmë çdo 5 vjet, në varësi të studimeve dhe rezultateve Akademia e shkencave dhe ekspertet e sizmologjisë po përgatitin hartën e re sizmike dhe propozimet për kodet e reja të ndërtimit.”, tha sizmologu Spyros Pavlides.

Me herët në Fakultetin e Gjeologji-Minierave, profesori grek tha se studimi i lëvizjeve tektonike, të cilat shkaktojnë tërmete, si dhe historiku i tyre në këtë pjesë te Europës, japin një pasqyrë më të qartë për frekuencën e tyre, çka duhet të ndërgjegjësojë më tepër autoritetet dhe popullsinë.

Tërmeti i 26 nëntorit, ishte nga më të fortët që ka ndjerë zonat e Durrësit, Tiranës, Laçit e Lezhës. Sizmiologet thonë se është një termet që bie një herë në shekull. Detyre shume e rëndësishme ne këto momente janë që ndërtimet në vendin tonë të përballojnë këtë dukuri natyrore.