MENU
klinika

Bukuroshet ndërkombëtare

Tre gjyqtare shqiptare me stemën e FIFA-s

09.01.2020 - 17:31

FIFA ka bërë përditësimin e listave të saj të gjyqtarëve dhe gjyqtareve të cilët do të mbajnë stemën për vitin 2020 dhe bie në sy se te Shqipëria, ka një ndryshim të rëndësishëm.

Nëse në futbollin e meshkujve nuk ka lëvizje, duke konfirmuar 3 gjyqtarët kryesore dhe 6 asistentët ndërkombëtarë të vitit të kaluar, në futbollin e femrave ndryshon situata.

Këtë vit, kryesores Emanuela Rusta dhe asistentes Erinda Kume, i bashkohet një tjetër asistente, Koleta Prenga, e cila ka marrë për herë të parë stemën e FIFA-s edhe pse prej vitesh gjykon në futbollin shqiptar.

Kësisoj, edhe futbolli i femrave do të ketë një treshe me stemën e FIFA-s, që u jep mundësinë atyre që të drejtojnë ndeshje në arenën ndërkombëtare më rregullisht, ashtu siç bëjnë meshkujt.

Sa i përket futbollit të meshkujve, Jorgji, Xhaja dhe Hamitaj konfirmohen si kryesorë pa ndryshim kategorie nga ajo që mbajnë aktualisht, ashtu si edhe 6 asistentët Avdo, Bregasi, Çokaj, Myftari, Rexha e Tartaraj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN