Siç dihet, Australian Open starton më 20 janar, por ndërkohë startuan sot ndeshjet e fazës eliminatore, ku jepen biletat e fundit për pjesëmarrjen në grand slam-in e parë sezonal.
Gjithsesi, ky start nuk ka qenë shumë pozitiv për organizatorët, pasi ajri i rëndë nga tymi i zjarrit që ka djegur ditët e fundit Australinë e ka bërë të vështirë zhvillimin normal të ndeshjeve.
Organizatorët janë detyruar të ndërpresin përkohësisht të gjitha ndeshjet eliminatore, për t’i rinisur pas disa orësh edhe pse cilësia e ajrit ka qenë e keqe.
Madje tenistja sllovene Dalila Jakupovic ka patur marrje mendsh në ndeshjen ndaj australianes Stefanie Voegele, duke rënë në gjunjë si pasojë e kollës mbytëse dhe u tërhoq.
Edhe tenistja kandeze Eugenie Bouchard ka kërkuar ndihmën e stafit mjekësor gjatë ndeshjes së saj ndaj kinezes Xiaodi. Ndërsa në ndeshjen midis Kavcic dhe Clarke, një fëmijë kapës topash ra pa ndjenja në tokë dhe iu dha ndihma e pare nga lojtarët.
Kjo ka detyruar organizatorët të rishohin planin e masave, duke u konsultuar edhe me stafin mjekësor të turneut. Niveli i ndotjes së mjedisit në Melbourne për shkak të zjarreve në Australi është në nivel alarmant.
Edhe ndeshja e bamirësisë mes Maria Sharapova dhe Laura Siegemund është ndërprerë në barazim 5-5, pasi tenistet kishin vështirësi në frymëmarje.