MENU
klinika

Shifrat e sulmuesit zikaltër

Vendos rekord, Lukaku “merr për dore” Interin

07.01.2020 - 12:09

Nëse Inter po prin me sukses Serinë A, i dedikohet më së shumti Romelu Lukakut. Meritat i shkojnë gjigantit belg edhe për fitoren 3-1 në San Paolo ndaj Napolit, ku ai shënoi dy gola në pjesën e parë për t’i dhënë ndeshjes një drejtim të saktë.

Në sytë e të gjithëve, goli i dyti i belgut mbeti produkt i një gabimi të portierit Meret, por kur topi vjen me shpejtësinë 111 km në orë, i vështirë për t’u kontrolluar.

Numrat nuk gënjejnë kur flasim për bomberin e Interit. Ai është golashënuesi më i mirë zikaltër në Serie A, me 14 gola, një rekord për klubin, pas 18 ndeshjeve të para.

Lukaku ka vendosur një rekord. Ai ka mposhtur Christian Vierin, që në vitin 2000 shënoi 13 gola deri në këtë pikë të kampionatit.

Ky rekord shoqërohet nga një tjetër arritje jo më pak e rëndësishme: në pesë ligat më të mira europiane, dueti i belgut me Lautaro është më i frytshmi, sa iu përket ndeshjeve të luajtura jashtë, 16 gola, 10 për Lukaku dhe 6 për argjentinasin.

Tani, sytë e zikaltërve janë drejtuar nga Atalanta, ndaj së cilës do të luajnë pa dy titullarë të rëndësishëm. Skriniar dhe Barella janë të skualikuar, pas kartonit të verdhë të marrë në Napoli. Sidoqoftë, me një Lukaku të tillë, frika nuk duhet të ekzistojë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN