MENU
klinika

Pasojat e izolimit të vendit

Vitet ’80, periudha ‘më e errët’ në Shqipëri

22.01.2020 - 11:16

Pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria vendosi të ndiqte modelin e ekonomisë së centralizuar, duke lejuar kështu dhe depërtimin e thellë të Kinës, jo vetëm në ekonomi por dhe politikë. 

Ndikimi i Kinës dhe ndihma e saj zëvendësuan ato sovjetike duke e kthyer Shqipërinë në aleaten e vetme të saj në Europën Lindore Komuniste. Shqipëria u tërhoq nga veprimtaria e Këshillit të Ndihmës Ekonomike Reciproke (KNER) dhe, pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, më 1968 u tërhoq edhe nga Organizata e Traktatit të Varshavës.

Në këtë periudhë, vendi merr mbështetje të konsiderueshme nga vendet aleate, përfshirë këtu dhe Jugosllavinë. Deri në vitet 70, Shqipëria njeh trende pozitive zhvillimi por pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën e mungesës së ndihmës nga një aleat i fuqishëm, do të sillte edhe degradimin e sistemit ekonomik e si rrjedhojë do të reflektohej edhe me krizë që në fund do të sillte ndryshimin e modelit ekonomik e politik. Pas ndërprerjes së marrëdhënieve me Kinën, një aleancë që deri në 1977, ekonomia do të bazohej në burimet e brendshme duke sjellë kufizime të forta në ekonomi.

Gradualisht, Shqipëria nisi të marrë gjithnjë e më pak ndihmë nga jashtë, duke u bazuar në burimet e brendshme ndërsa nga ana tjetër, kultivohej në publik edukata dhe nevoja për principin e vetëpërmbajtjes e të kursimit. Brenda 12 viteve, 1946-1961, Shqipëria po kthehej nga një vend i varur në masën 50% nga tregtia dhe ndihmat me vendet e tjera, në një vend që do të bazohej në parimin e mbështetjes në forcat e veta. Ky synim i Shqipërisë do të konkretizohej edhe në Kushtetutën e vitit 1976, ku përcaktohet ndalimi i ndihmës së huaj, kredive dhe do të përcaktohej se ekonomia shqiptare do të bazohej në burimet e brendshme.

Në periudhën 1980-1990 ekonomia shqiptare ndryshoi kurs. Kjo periudhë njihet si periudha më e errët me të cilën është përballur ekonomia e Shqipërisë.

Në këtë periudhë, vendi nisi një fazë të re, ku përballë vështirësive apo krizës që mund të vinte, masat që u morën ishin shtrënguese. Përveç asaj që ndodhte me planifikimet buxhetore dhe me shkurtimin e shpenzimeve, propaganda e kohës i kushtoi rëndësi të veçantë përhapjes në masa të mesazhit rreth nevojës për të kursyer. Në këtë periudhë, Shqipëria nis të diversifikojë marrëdhëniet ekonomike me vendet e tjera.

Nga vitet ’80 deri në vitet ’90, ekonomia shqiptare nuk po performonte mirë e masat shtrënguese në fund arritën deri në racionimin e ushqimit. Në këtë periudhë, vendi ra në një krizë të thellë ekonomike e financiare. Niveli i rritjes ekonomike nga 2% që ishte në fillim, shkoi në minus në fund.

Në kushtet e mbështetjes në forcat e veta, të një rendimenti të ulët në punë, të amortizimit të teknologjisë, të pamundësisë për të investuar në të dhe të mos marrjes së kredive e të ndihmave nga jashtë, vendi do të përballej me një model ekonomik që nuk mund të krahasohet me asnjë vend tjetër. Izolimi i vendit do të sillte politika joracionale ekonomike, mbajtjen e një niveli të ulët konsumi në popullatë dhe shtimin e masave shtrënguese për popullsinë.

Dyqanet do të përballeshin me radhë të gjatë për produkte bazë por nga ana tjetër, prona shtetërore do të prekej nga fenomenet negative si dëmtime, vjedhje apo raportime fiktive për punën e realizimin e planeve. Disa nga politikat, që edhe nga vetë drejtuesit e regjimit të mëparshëm janë cilësuar si të gabuara, ishin shoqërizimi i oborrit kooperativist e ‘tufëzimi’ kolektiv i bagëtive të anëtarëve të kooperativave bujqësore apo shndërrimi i kooperativave të tipit të lartë në ndërmarrje bujqësore. Gjithë një procedurë, e shndërroi fshatarin nga prodhues në konsumator, njësoj si punëtori në qytet çka do të sillte si pasojë zhdukjen e interesimit të fermerëve për shtimin e prodhimit.

Të gjitha sinjalet që jepte ekonomia në këtë periudhë linin të kuptohej se vendi po shkonte drejt falimentimit dhe kjo solli tërheqjen e qeverisë nga masat e mëparshme ekstreme, por që nuk dhanë efektin e pritshëm për rigjallërimin ekonomik të vendit.

Ajo që duhet evidentuar se në të njëjtën periudhë, me vështirësi ekonomike po përballeshin edhe vendet e tjera të lindjes, që aplikonin modelin e ekonomisë së centralizuar. Referuar studiuesve të kësaj periudhe, modeli ekonomik hibrid që u aplikua në Shqipëri në këtë periudhë vinte në plan të parë realizimin e planit dhe jo nevojën e tregut duke mos arritur të plotësonte nevojat gjithnjë e në rritje të popullatës.

Ndryshimi i sistemit në vitet ’90 do të shoqërohej nga vështirësi të shumta ekonomike, deri në atë pikë sa drejtuesit e qeverisë në vitet e para të pushteti demokratik do të përballeshin me mangësi në rezervat e shtetit ku rreziku parësor ishte ai i mbarimit të shpejtë të rezervave ushqimore.

Ky rrezik do të sillte ndërhyrjen e misioneve humanitare ndërkombëtare për kapërcimin e emergjencës së furnizimit të popullatës me ushqime. Pas kapërcimit të kësaj vështirësie, Shqipëria do të futej në një trend pozitiv rritjeje ekonomike, por sfidat nuk i kanë munguar kurrsesi edhe në vitet që vijuan…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Roli i Zogut, Enverit dhe demokracisë

Kush i la pa tokë shqiptarët?