Deputetja Rudina Hajdari në fjalën e saj në parlament në hapjen e sezonit të ri parlamentar për vitin 2020, tha se reforma zgjedhore është shumë e rëndësishme që vota e shqiptarëve të numërohet në mënyrë të saktë, kurse shtoi se nuk duhet lejuar asesi që zgjedhorja të kthehet në pazar politik mes palëve, në kurriz të shqiptarëve.
“Viti që lamë pas ishte një vit me kriza politike dhe u luajt me aventurat me jetën e shqiptarëve. Pavarësisht përbaltjes për të shkërrmoqur këtë parlament, ky Kuvend miraton që të nderohet. Besoj se unë e kolegët e mi opozitarë kemi qëndruar fort duke i shërbyer agjendës euro-atlantike të vendit. Shqiptarët po jetojnë kriza politike e sociale. Ne na takon t’u japim shqiptarëve një demokraci më të mirë. Ne duhet të largohemi nga tendencat totalitare dhe nga ikja nga përgjegjësia. Shqiptarët presin reformën në drejtësi dhe atë zgjedhore.
Ne duam që parlamentin t’ua kthejmë shqiptarëve. Dua të falënderoj edhe opozitën jashtë-parlamentare, që pati vullnetin të ulej në tryezë. Reforma zgjedhore të mos kthehet në Pazar të radhës, por të jetë reale. Unë u ula në tryezë që shqiptarët të kenë besim për votën që hedhin. Ne do luftojmë deri në fund që të përmbushet reforma zgjedhore. Në mbështetje me SHBA dhe aleatët tanë, do t’u japim shqiptarëve mbështetje të plotë. Shqiptarët pse jo mund ta vendosin edhe me referendum se çfarë forme të listave duan për votim. Unë jam për lista të hapura, që të votohet njeriu dhe jo partia të vendosë njeriun”, tha Hajdari.
Ndër të tjera, Hajdari në fjalën e saj kujtoi edhe Kongresin e Lushnjës, duke vënë në dukje se ky Kongres vuri themelet e parlamentarizmit shqiptar.
“Nesër shënohet 100-vjetori i parlamentit të parë shqiptar. Më 1920, u mblodh Kongresi i Lushnjës. Burra shqiptarë nga cdo krahinë u mblodhën në Lushnjë dhe në këtë Kongres u hodëhn themelet e para të parlamentarizmit. Në këtë Kuvend u morën vendime të rëndësishme politike.
Ata u shprehën se vendi ynë do të mbrohet me cdo kusht. Patjetër është nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë. Këtu morën pjesë figura të shquara. Kjo ngjarje ishte kandil, që duhet të ndricojë në cdo rast”, deklaroi Hajdari.