MENU
klinika

Në 3 vjet fitoi 9 tituj, 3 Champions radhazi

Zidane bën 4 vjet te Real, trajneri që shkroi historinë

04.01.2020 - 13:52

Fiks 4 vjet më parë, Zinedine Zidane prezantohej si trajner i parë i Real Madrid dhe më pas lavdia arriti kulmin në Champions League, me 3 trofe radhazi.

E nisi me këtë shprehje më 4 janar 2016: “Unë mendoj se gjithçka do të jetë mirë”. Kanë kaluar katër vite nga ai moment dhe “Zizou” me të vërtetë ia ka dalë shumë mirë në krye të ekipit të bardhë.

Ndoshta më mirë sesa e imagjinonte, kur e lëshoi frazën e lartpërmendur. Por, mbi të gjitha, skena e Zidane si trajner i Real Madrid ka qenë shumë e titulluar.

Sepse, me të vërtetë janë tri vite e tre muaj, periudha që ai e ka udhëhequr skuadrën nga “Bernabeu”, por trofetë duken si për një dekadë.

Në këtë periudhë të shkurtër kohe, Zidane ka fituar tre Champions radhazi, nëntë tituj në total, ka rikuperuar fronin e La Liga-s. Kjo i përket periudhës së parë, të cilën e la në vitin 2018.

Francezi u kthye në drejtimin e Realit vitin e kaluar. Në eksperiencën e dytë, që vijon, ka përjetuar dy kriza. Tani, Zidane po përpiqet të rindërtojë perandorinë, që u rrit në tre sezonet e tij të para në krye të “Los Blancos”.

Më 4 janar 2016, Florentino Pérez shkarkoi Benitez dhe “vuri bast” për Zidane, i cili kishte qenë në krye të “Castilla” (ekipi B) për dy vite.

EPOKA E “ZIZOU” SI TRAJNER I REAL MADRIDIT

Ardhja e tij ishte goditje e një iluzioni, që së shpejti filloi të reflektohej në rezultatet e ekipit. Në pesë muajt që kishte komandën për sezonin 2015-2016, Real Madrid fitoi 17 nga 20 ndeshjet e La Ligas, që luajti (përfshirë “El Clasico” në “Camp Nou”).

Ai “flirtoi” me titullin kampion në Spanjë deri në ndeshjen e fundit. Por, suksesi do të vinte në Ligën e Kampioneve. Pas eliminimit të Romës, Ëolfsburgut dhe Manchester City, të bardhët do ta shpëtonin sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke fituar Champions.

Ata mundën Atletico Madridin në finalen e Milanos. “Zizou” ishte protagonist i Champions-it të nëntë të Real Madridit si lojtar, të dhjetin e shijoi si asistent i Carlo Ancelottit, ndërsa të njëmbëdhjetin si trajner. Ishte fillimi i një faze të lavdishme të të bardhëve.

DOPIETË HISTORIKE

Në sezonin 2016-2017, i pari i plotë me Zidane në stolin e Real Madridit, sukseset u shumuan. Skuadra do të fitonte Superkupën e Europës dhe disa muaj më vonë Botërorin e Klubeve. Francezi e mbylli vitin e tij të parë kalendarik si trajner i të bardhëve me tre tituj në xhep.

Në fund të sezonit do ta rrumbullakoste këtë sukses me një dopietë historike, duke fituar La Liga-n dhe Ligën e Kampioneve. Real Madridi ritoi fronin e brendshëm dhe në Europë u bë klubi i parë, që fitonte dy Champions radhazi.

Zidane e kishte dërguar skuadrën në një dimension tjetër. Ishte momenti kulmor i punës së tij të shkëlqyeshme. Dhe e gjitha kjo në vetëm 16 muaj në krye të “Los Blancos”.

CHAMPIONS I TRETË RADHAZI MBËRRITI

Në fillim të sezonit 2017-2018, Real Madridi me Zidane trajner është ende në valën e trofeve. Në verë, ai fitoi edhe dy të tjerë, Superkupën Spanjolle kundër Barçës dhe Superkupën Europiane kundër Manchester United.

Suksese të tilla “provokojnë” çmime individuale për Zidane, i cili fiton “The Best”, si trajneri më i mirë në botë. Pak më vonë, një tjetër Botëror Klubesh.

Real Madridi është një makineri perfekte për të fituar finale dhe tituj. I vetmi “nishan” në ato muaj ishte La Liga, të cilën skuadra e bardhë e lëshoi nga duart, diçka që trajnerit francez nuk i pëlqeu aspak.

Në janar, situata e La Liga-s, së bashku me eliminimin e papritur kundër Leganés në Kupën e Mbretit, regjistroi krizën e parë të epokës së “Zizou”. Një krizë, që skuadra e fshiu me paraqitje të shkëlqyeshme në Champions, në të cilin eliminoi PSG, Juventus dhe Bayern Munich.

Këtë kompeticion e fitoi për të tretën herë radhazi, kundër Liverpool-it, në finalen e Kievit. Ky ishte titulli i nëntë i Zidane në tre sezone.

“LAMTUMIRA” BEFASUESE E ZIDANE DHE RIKTHIMI I TIJ

Pesë ditë pasi fitoi të tretën Ligë Kampionesh, trajneri francez i befasoi të gjithë, duke njoftuar largimin dhe përfundimin e një faze të lavdishme në stolin e Real Madridit.

Bashkë me të, të bardhët i la edhe Cristiano Ronaldo. “Ekipi ka nevojë për një ndryshim në drejtim, që të ruajë ritmin e fitoreve”, – tha Zidane në lamtumirën e tij në “Valdebebas”, i shoqëruar nga Florentino Pérez.

ronaldo bale zidane
ronaldo bale zidane

Ajo që Zidane nuk e imagjinonte ishte mirupafshim i tij shumë i shkurtër, sepse gjërat nuk shkuan mirë për ekipin dhe nëntë muaj më vonë, ai u kthye në Madrid, si një zgjidhje për krizën e madhe të rezultateve të skuadrës.

DY KRIZA NË SEZONIN 2019-2020

Në kthimin e tij të dytë, efektet e tij nuk ishin aq të dukshme sa herën e parë. Real Madridi përfundoi keq dhe Zidane u akuzua direkt. Humbja ndaj PSG e kryqëzoi trajnerin francez. Sidoqoftë, kjo nuk ishte situata e parë kritike.

Humbja e dhimbshme në Mallorca do të provokonte një krizë të re, më të theksuar. Në këtë rast doli në skenë edhe Jose Mourinho. Hija e portugezit nisi të fluturojë mbi “Bernabéu”.

Por, Zidane gjen çelësin e zgjidhjes në kohë dhe e kthen në favor situatën, megjithëse vitin e përfundoi me një shije të hidhur. Sot, Zidane mbush katër vite, që kur e mori për herë të parë komandën e Real Madridit.

Ai po punon për rindërtimin e plotë të skuadrës kampione, që prodhoi. Kjo është sfida e tij e madhe, në fazën e tij të dytë si trajner i bardhë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN