MENU
klinika

Sinjalizime për aksion nga IKMT-ja

Balliu te ‘Astiri’: I siguroj banorët që PD-ja nuk tërhiqet

17.02.2020 - 09:18

Një grup banorësh te zona e Astirit pas sinjalizimeve se mund të kishte ndërhyrje nga IKMT-ja për shembjen e shtëpive që preken nga projekti, mëngjesin e sotëm kanë qenë në gatishmëri për t’i bllokuar.

Në mbështetje të tyre ka shkuar edhe ish-deputeti demokrat Klevis Balliu, i cili ka akuzuar qeverinë, policinë dhe institucionet e tjera se do të mbajnë përgjegjësi, kur PD-ja të vijë në pushtet.

“Përpara se qytetarët e Tiranës të shikojnë rrugën do të shikojnë gradaçelat që janë në ndërtim, në të njëjtën distancë që janë shtëpitë e këtyre banorëve nga rruga, që do të shemben. Nuk asnjë diskutim se ky është tender fiktiv, se kur bën një kompani ofertë zero, siguron tjetrën. Ku është ky shtet, që nuk merr parasysh akuzat?

Ku janë prokurorët? Në këtë zonë ka disa prokurorë që banojnë, dhe shtëpitë e këtyre prokurorëve nuk preken? Nga asnjë projekt. Por preken shtëpitë e qytetarëve të pambrojtur. Banorët i siguroj, se kontratën që kanë me PD-në, që nuk tërhiqet kurrë, do i qëndrojë në cdo pikë me heronjtë e Unazës së Re, që kanë rezistuar mbi një vit.

Mbështetja e PD-së është pa limit. Ata që do të vijnë të kryejnë këtë krim shtetëror, i siguroj për një gjë, koha kur nuk mbahet përgjegjësi ka ikur, prandaj do të mbahet përgjegjësi nga OPGJ-të, deri te drejtoria e policisë për kallëzime të pavërteta, drejtorët e ARRSH-së, ministrat dhe kryeministrat, do të vendosen para drejtësisë. Këtu bëhet fjalë për jetën e qytetarëve”, tha Balliu.

Mësohet se nuk ka shtyrje apo një datë për ndërhyrjet në zonën e Astirit.