MENU
klinika

"Bashkia tha ikni merrni lekët, banka thotë nuk ka"

Banorët bllokojnë punimet në rrugën Shkodër-Velipojë

20.02.2020 - 14:58

Banorët kanë bllokuar sërish trasenë e rrugës duke mos lejuar vijimin e punimeve për aksin Shkodër- Velipojë, e cila ka nisur punimet që qershor të 2017, shkak është berë mungesa e shpronësimeve ndaj pronarëve të tokës që preket nga kjo rrugë. Pak ditë më parë banorët u njoftuan nga bashkia se ishte finalizuar dokumentacioni dhe në banka mund të tërhiqnin paratë e kompensimit.

Por kur janë paraqitur në sportelet e bankave, banorët kanë marrë si përgjigje se për ta nuk ka para. Duke e quajtur të gjithën këtë një lojë, ata janë të prerë të mos lejojnë vazhdimin e punimeve deri kur të jepen detyrimet ndaj tyre.

Lista e bërë publike për shpronësime përmban 85 fermerë të Berdicës, por pretendime për të marrë paratë kanë mbi 100 fermerë. Ata thonë se aplikimin e kanë kryer në të njëjtën periudhë por emrin nuk e kanë në këtë listë.

Prej afro 3 vitesh përplasjet e banorëve me qeverinë dhe zbatuesin e punimeve kanë bërë që rruga Shkoder -Velipojë të mos jetë ende gati, e nëse do të vijohet me këto ritme, rrezikon që edhe këtë sezon turistik ajo të mbetet gjysmë e përfunduar. Zgjidhja për ta mbeten protestat, pasi siç thonë banorët si bashkia dhe qeveria nuk po dinë tu japin një zgjidhje përfundimtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN