MENU
klinika

Champions League

Bayern dhe Barcelona, favoritët e mbrëmjes

25.02.2020 - 11:57

Champions League vijon këtë javë me 4 ndeshje të tjera për llogari të 1/8 finale. Sot në mbrëmje, në orën 21:00, luhen dy takime. Bie në sy përsëritja e finales së vitit 2012, ajo mes Çelsit dhe Bajernit të Mynihut.

Në atë kohë triumfonin për herë të parë në Europë, Blutë e Londrës. Kështu, gjermanët do të kenë edhe një motiv më shumë për të marrë fitoren, që do e afronte me kualifikimin në çerekfinale.

Statistikat e këtij sezoni janë në favor të Bajernit, duke qenë se bavarezët kanë pasur një mesatare të frikshme prej 5.33 gola për ndeshje në fazën e grupeve, ndërsa qëndrojnë të pamposhtur në 12 ndeshje radhazi në kompeticionet europiane.

Megjithatë, trajneri Frenk Lampard me të besuarit e tij do provojnë t’i bëjnë dëm Bajernit dhe të përmbysin parashikimet. Por për të arritur këtë, duhet patjetër fitorja sonte në “Stamford Bridge”. Anglezët kanë statistika negative ndaj skuadrave gjermane në Europë, sidomos ndaj Bajernit.

Sfida tjetër e mbrëmjes është ajo mes Napolit dhe Barcelonës. Lionel Mesi do të shkelë në fushën ku Maradona ishte idhull, për të treguar edhe ai magjinë e tij në “San Paolo”.

Katalanasit duket se kanë lënë pas periudhën e errët dhe kanë nisur të marrin rezultate me trajnerin Setien. Ndërkohë, Napoli i drejtuar nga Gatuzo, nuk ia ka dalë të kalojë asnjëherë pas kësaj faze, por mbeten të pamposhtur në shtatë ndeshje shtëpiake.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN