Dy shtëpi rrezikohen të shemben, ndërsa një lagje po mbetet në izolim në Baz të Matit, si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Banorët thonë se për këtë rrezik kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve lokale, por zotimi për ndërhyrje deri tani ka rezultuar premtim për vota.
Pesëmbëdhjetë familje në fshatin Baz të Matit rrezikohen të mbeten të izoluar për shkak të rrëshqitjes së tokës në vendin e quajtur “Kodra e keqe”.
Fenomeni ka nisur rreth 2 vite më parë, ndërsa rrëshqitja vijon me përmasa shqetësuese duke iu afruar edhe zonës së banuar. “Janë dy shtëpia që janë dëmtuar nga ajo tokë, por rrezikohen dhe shtëpitë e tjera”. Rruga e fshatit është po ashtu e rrezikuar!
“Për rrugën jemi ankuar, kanë ardhur e kanë parë përpara dy vitesh. Kanë thënë që do ta bëjmë”. Banorët thonë bashkia është zotuar për ndërhyrje për ti dhënë zgjidhje përfundimtare problematikës, por deri tani ka rezultuar premtim elektoral
“Thonë do vimë sot e do vimë nesër, na vinë për të na marrë votat dhe… Vijnë dhe bëjnë dy foto dhe pastaj ikin”. Banorët e Bazit thonë se mungesa e reshjeve këtë dimër i ka shpëtuar, pasi në të kundërt banesat e tyre mund të kishin përfunduar në përrua.