MENU
klinika

"Dreka e varkëtarëve"

Çfarë është revolucionare në këtë tablo?

25.02.2020 - 15:55

     Ende në ditët e sotme, kur shikojmë këtë pikturë, duket sikur perceptojmë nxehtësinë e diellit që depërton përmes perdeve, bërbëlitjet dhe aromat që vijnë nga tryeza e mbushur plot./Konica.al

 Pier-August Renuar, i njohur si August Renuar, lindi në 25 shkurt 1841 në Limoges në një familje artizanësh. Piktor, skulptor dhe skalitës i famshëm i artit figurativ francez, ku spikat shumëllojshmëria e ngjyrave dhe stilistika impresioniste, së cilës iu qas edhe botëkuptimi i tij krijues. August Renuar ishte një nga përfaqësuesit më të spikatur të impresionizmit, vëzhgues i mprehtë i bukurisë dhe sensualitetit, sidomos atij femëror. Prej vitit 1881, “Dreka e varkëtarëve” vijon të mbetet një nga pikturat më të famshme të Pier-August Renuar. I ruajtur në muzeun e parë të artit modern në Shtetet e Bashkuara, Philips Collection of Washington, piktura portretizon një skenë të jetës së përditshme, që zhvillohet në një fshat të vogël përgjatë Senës, ku lundruesit takohen për të drekuar me miqtë dhe të njohurit. Në atë që duket të jetë një fotografi e thjeshtë e një çasti, fshihen aluzione të ndryshme për biografinë e piktorit dhe për revolucionin që ai zbatoi në fushën e pikturës.

Autori bën të pavdekshëm një çast kalimtar

Përtej risive të pikturës, impresionistët qenë gjithashtu dëshmitarë të epokës së tyre. Renuarit i pëlqente të pikturonte Parisin dhe parizianët, vallëzimet, takimet në kafene, duke e trajtuar të përditshmen me të njëjtin dinjitet që piktura e kohës i rezervonte temave biblike, historike dhe mitologjike. Të themi të drejtën, “Dreka e varkëtarëve” përçon meritën e të kthyerit në të pavdekshëm një çast të jetës së përditshme për ta bërë atë të përjetshme. Edhe sot, kur shikojmë këtë pikturë, duket se perceptojmë nxehtësinë e rrezeve të diellit teksa depërton përmes perdeve të kuqe të restorantit, por edhe freskinë e gjelbërimit rreth e rrotull. Na krijohet përshtypja sikur dëgjojmë bërbëlitjet e hareshme, kundërmimin e verës dhe aromat e frutave që vijnë nga tryeza e shtruar. Në vitet në të cilat lindi fotografia, piktorët e shikuan realitetin me syrin e atyre që duan të ngrijnë atë që ia mbath dhe zgjatet në perceptimin e realitetit në ndryshimin e tij. Pra, për konturet parapëlqehet ngjyra, në vend të penelatave të gjata dhe solemne ato të shpejta dhe të shkurtra, vlerësimit të proporcioneve studimi i dritës dhe reflektimet e saj./Konica.al

Është vendosur në një fshat francez

Kjo është tabloja e fundit që Renuari pikturoi para se të nisej drejt Italisë dhe paraqet gjurmët e një ndryshimi që është në rrugë e sipër, duke përfshirë, për shembull, pëzgjedhjen e mjedisit. Në fakt, nga Parisi zhvendosemi në një fshat në ishullin Chatou, ku dikur ngrihej restoranti Fournaise, një vend takimi për lundërtarët dhe një vend i dashur dhe i frekuentuar prej kohësh nga piktori. I ndërtuar në vitin 1857 nga marangozi Alphonse Fournaise, fillimisht godina përdorej për dhënien e varkave me qira. Në ato vite kanotazhi po shndërrohej në një nga sportet e preferuara të parizianëve, kështu që shumë shpejt Fournaise u zgjerua në restorant dhe hotel të vogël. Renuarit i pëlqente të kalonte ditët në “Fournaise” me partneren Aline dhe e shlyente faturën e ushqimit me piktura që kishin si sfond lokalin ose peizazhin përreth.

Njerëzit në pikturë janë miq të Renuarit

Tablonë “Dreka e varkëtarëve” e gjallërojnë katërmbëdhjetë personazhe dhe, nëse i vëzhgojmë ata nga afër dallojmë fytyra të njohura. Rreth tryezës së shtruar, mblidhen miqtë dhe të njohurit e piktorit, mes të cilëve edhe shoqëruesja dhe gruaja e ardhshme Aline Charigot, e portretizuar në plan të parë ndërsa luante me qenin. Tek vajza e menduar mbështetur në balustradë dallohen qartë tiparet e Alphonsine Fournaise, më pas gjejmë Paul Lhote me kapelën në formë cilindri, Charles Eprussi (në sfond me borinë), një bankier pasanik, të cilin Renuari e njohu në sallonin e  Charpentier, por edhe Antonio Maggiolo, gazetar i cili ishte larguar nga Italia për të provuar fatin e tij. Po ashtu edhe Alphonse Fournaise, djalin e pronarit të restorantit, mbështetur në balustradë veshur me kanotiere të bardhë lundërtari dhe një kapelë kashte./Konica.al

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kryevepra e piktorit në muzeun 'Van Gogh'

“Luledielli” në gjendje kritike…