MENU
klinika

Magjia e futbollit europian

Champions League rikthehet me dy supersfida

18.02.2020 - 11:24

Rikthehet magjia e Champions League. Të martën në mbrëmje starton faza me eliminim direkt dhe kalendari rezervon dy përballje të forta, Atletico Madrid-Liverpool dhe Borussia Dortmund-PSG, që do të luhen në orën 21:00.

Të kuqtë e Jurgen Klopp janë kampionët në fuqi dhe konsiderohen si ekipi më i mirë në botë aktualisht. Liverpool ka zhvilluar një kampionat të shkëlqyer në Angli, ndërsa janë një hap larg titullit kampion me diferencë të frikshme ndaj Manchester Cityt.

Kjo ka bërë që fokusi të jetë tashmë në Europë për t’u rikonfirmuar, teksa sot rikthehen në Madrid në stadiumin “Wanda Metropolitano”, ku anglezët kanë kujtime të bukura, pasi triumfuan në finalen e vitit të kaluar ndaj Tottenham.

Nga ana tjetër, Atletico Madrid ka pasur shumë ulje e ngritje gjatë këtij sezoni. Trajneri Diego Simeone nuk ka mundur t’i sigurojë vazhdimësi skuadrës dhe në kampionat duket larg dyshes Real dhe Barcelona. Megjithatë, në fushën e tyre, bardhekuqtë janë një rival tejet i rrezikshëm.

Ndërkohë, sfida tjetër e mbrëmjes është ajo mes Dortmund dhe PSG. Francezët kanë ekipin për të tentuar t’i shkojnë kompeticionit deri në fund, ndërsa në kampionat nuk kanë shumë impenjime pasi rivalët i kanë të paktë.

Trajneri Thomas Tuchel ia ka dalë të rikuperojë Neymar nga dëmtimi dhe ka një armë plus përballë Dortmund. Gjermanët nga ana tjetër këtë sezon kanë treguar se shënojnë shumë, por edhe pësojnë.

Interesante do jetë loja e sulmuesit Erling Haland, i cili në fazën e grupeve me fanellën e Salzburg ia doli të realizonte tetë gola, ndërsa tani sfidon Kylian Mbape.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN