MENU
klinika

Paralajmërimi i Ramës për 2020-ën

“Do jetë një grusht i fuqishëm për korrupsionin”

21.02.2020 - 11:25

Kryeministri Edi Rama deklaroi se gjatë vitit 2020 gati të gjitha shërbimet për qytetarët do të merren online, pa shkuar më nëpër zyra apo pa dashur të takohen zyrtarë. Duke folur në aktivitetin e zhvilluar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) dhe Forumi Ekonomik Botëror (WEF- Davos) për përshpejtuesit e konkurrencës dhe inovacionit në hapësirën e Ballkanit Perëndimor, Rama tha se kthimi i shërbimeve online në të gjitha sektorët do të jetë një grusht i fuqishëm ndaj korrupsionit.

“Jemi në procesin e këtyre marrëdhënieve dhe dixhitalizimit të paprecedentë të shërbimeve tona. Tani në 2020 ne do sigurohemi që 95% e shërbimeve do të jenë në dispozicion të njerëzve, duke mos pasur kontakt. Nuk ka nevojë që dikush të shkojë nëpër zyra, të marrë kontakt me zyrtarë, gjithçka do të jetë online. Ne kemi lëshuar më shumë se 50 mijë karta shëndetësore, që janë dhënë në më pak se dy muaj. Njerëzit thjesht aplikonin dhe e merrni në shtëpi. Kjo do të jetë për të gjitha sektorët dhe do jetë një grusht i fuqishëm ndaj korrupsionit dhe mitmarrjes”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

Pjesë nga fjala e Ramës:
Më kujtohet që më 1995 një radio e madhe amerikane, ndërkohë që po komentonte për marrëveshjen e paqes me detin, tha që e vetmja gjë që Ballkani mund të eksportojë është historia. Tashmë Ballkani Perëndimor është identifikuar për kapacitetet e mrekullueshme për të prodhuar histori. Kemi pasur shumë histori, shumë konflikte, evente, ngjarje, por asnjëra nuk ka qenë frymëzuese. Historia është një rrëmbyes i rajonit tonë dhe i së ardhmes së fëmijëve tanë. Jam i lumtur të festojmë ndryshimet që po bëhen. Ne kemi filluar të shkruajmë një kapitull të ri, duke sjellë së bashku të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, për herë të parë, duke i ulur ata rreth një tavoline të përbashkët, për të folur për mundësinë tonë të së ardhmes. Po shohim një punë që është në proces e sipër dhe që zhvillohet paralelisht me sfidat, që prodhon e shkuara. Pavarësisht kësaj ne jemi të angazhuar dhe do të ecim përpara, sepse kjo është ajo që ne ja detyrojmë fëmijëve tanë.

Ja kemi për borxh fëmijëve tanë, që të kemi një vend të ri në Ballkanin Perëndimor, aty ku cilësia e jetës sonë së bashku nuk do të matet nga sa shumë ne pajtohemi me njëri-tjetrin, por deri në çfarë mase ne nuk biem dakord. Ne do krijojmë një hapësirë ku mosmarrëveshjet nuk janë deklarata përpara luftërave, gjakderdhjeve, por janë pjesë e hapësirës ku ne nuk jemi të detyruar që të biem dakord për çdo gjë, thjesht jemi të detyruar të gjejmë një mënyrë për të mos rënë dakord. Nga mosmarrëveshjet ne mësojmë më shumë për njëri-tjetrin. Sa më shumë që kemi folur së bashku dhe sa më shumë rajoni ka treguar përpjekje për bashkim në të ardhmen, ne aq më shumë do të marrim ftesa. S’ka rëndësi nëse ky vend është i varfër, i pasur, më pak apo më shumë i zhvilluar, por duhet të bëjmë më lehtë kapërcimet, që na vijnë nga teknologjia. Ne do të mblidhemi dhe të fillojmë për inovacionin dhe konkurrueshmërinë.

Duhet të shfrytëzojmë me sukses potencialin e ekonomive tona. Po të them PPP, menjëherë do të kem shumë njerëz që do fillojnë të bëjnë zhurmë, ose do e politizojnë çështjen. Asnjëherë nuk kanë treguar vullnet për të kuptuar sa e rëndësishme është t’i kemi PPP si pjesë e përpjekjes sonë të përgjithshme. PPP janë ato që do mbështesin fuqishëm të gjithë ne në identifikimin, duke na shtyrë më tej përpara për iniciativa, të cilat do të krijojnë kushte të reja dhe iniciativa të reja për ‘start up-et’. Neve na nevojitet një platformë, në mënyrë që t’i sjellim së bashku këta fëmijë dhe t’iu themi që ‘nuk jeni vetëm’. Na duhet një platformë për t’i ngritur këta fëmijë në një stad të ri. Kjo platformë do të ketë ndikim në mënyrë shumë të rëndësishme cilësinë e ndërveprimit të dialogut, duke adresuar jo vetëm temat klasike, lëvizjen e njerëzve, kufijtë e tarifave pa barriera, por duke i adresuar ato në një formë jotradicionale. Së dyti, është një mundësi e mrekullueshme për të krijuar një qendër koordinimi nëpërmjet rrjeteve të dijeve.

Së treti, duke krijuar një këshill rajonal për konkurrueshmërinë ne nuk do të adresojmë thjesht vetëm të ardhmen e vet akseleratorit, por edhe të ardhurat e tyre. Së fundi, kemi dhe sigurinë kibernetike, që është një sfidë e madhe për të gjithë, por që nuk mund të përballohet vetëm dhe të ndarë nga njëri-tjetri. Është një sfidë dhe për BE, por fakti që Evropa po punon për këtë çështje, është shumë e rëndësishme, që edhe ne në rajonin tonë të fillojmë të punojmë. Integrimi në BE është një proces që bazohet mbi merita për secilin vend, por konceptimi që tashmë po na del me metodologjinë e re dhe qasja që Evropa do të ketë ndaj nesh si individë do jetë shumë e shumë herë e lidhur me kapacitet tona për të ndërvepruar me të tjerët. Sa më shumë t’i japim ne BE shembuj të ndërveprimeve tona të suksesshme, aq më shumë BE do respektojë përpjekjet tona individuale dhe do jetë më i qetë në konkluzionin për të na futur brenda.