Fondi Monetar Ndërkombëtar bëri të ditur se 2 javët e ardhshme do të jenë thelbësore në përcaktimin e ndikimit ekonomik të koronavirusit. Shefja e fondit, Kristalina Georgieva, tha se gjatë kësaj periudhe, fabrikat pritet të rinisin punën në Kinë, ç’ka do të japë një këndvështrim më të pastër tek ekonomia kineze dhe tek efektet anësore që do të ketë tek gjithë bota.
Ajo tha se fondi po monitoron se si koronavirusi përhapet jashtë Kinës, duke thënë se aktualisht nuk përbën ndonjë kërcënim të madh. Megjithatë, ajo theksoi se situata mund të ndryshojë nëse virusi përhapet tek shtetet me sisteme të dobëta të shëndetësisë, si Afrika.
FMN kundërshtoi krahasimin e koronavirusit të ri me SARS në vitin 2003. Georgieva tha se jo vetëm që virusi është i ndryshëm, por Kina dhe ekonomia botërore kanë ndryshuar që prej atëherë. Kina përfaqësonte 8% të ekonomisë botërore në periudhën e SARS, ndërsa tani zë 19%. Fondi ka mirëpritur masat kineze në parandalimin e virusit si dhe stimujt monetarë të ofruara nga Banka Qendrore e Kinës.