MENU
klinika

Shpëtim Nazarko

Edi dhe Albin, kështu po vraponi drejt asgjëkundit…

08.02.2020 - 14:07

Shembullin e dhënë më shumë se njëherë, kam dëshirë ta përsëris prapë. Kalimi nga një sistem qeverisje, apo të doni rend shoqëror, i ngjan atij me të cilën një amvisë, rilyen muret e shtëpisë

Kur ajo lyen, kujdeset të gërryejë mirë sipërfaqen dhe vëren, se procesi i lejon të shohë suvanë e vjetër, me të cilin është lyer më parë shtëpia. Kur shqiptarët këtu në Kosovë, Maqedoni, e Mal të Zi, ndërruan rendin e vjetër dhe filluan të lyenin shtëpinë e re, panë shumë thjesht se heqja e suvasë së tanishme, të shpinte te suvaja e vjetër. E kjo suva e vjetër nuk ishte gjë tjetër, veçse suvaja turke.

Ndryshe u ndodhi fqinjëve ca më larg. Te çekë, hungarezë, kroatë, a sllovenë, suvaja e vjetër pas rëniesë së asaj komuniste, ishte ajo e Perandorisë së shkëlqyer austriake. Është shumë e thjeshtë, që pas kësaj rënie, këto vende ta merrnin veten shumë më shpejt.

Problemi ynë, ishte dhe është, shumë më i komplikuar. Duke na quajtur vend periferik të Perandorisë, Turqia që ishte shumë e dobët edhe në problemet me detin (më e dobëta në gjithë perandoritë që kanë ekzistuar), na e thelloi këtë dramë.

Turqia krijoi, siç ndodh me gjithë vendet periferike të perandorive, një vend, i cili i nevojitej vetëm për taksa dhe ushtarë. Krijoi ca feudalë, a pasanikë vendës, që nën pushtetin e saj, kufizoheshin në veprimtari individuale që përmblidheshin në fjalët – pasurim vetjak dhe asgjë më shumë.

Në një bisedë dikur me Kadarenë, duke analizuar këto lloj situatash, me gjithë idenë time për ta paraqitur sa më të zbutur problemin, më tha me një farë përbuzje gjykimin për pasanikët tanë të dikurshëm.

E çfarë bënin në fund të fundit me paratë e tyre? Ja i harxhonin andej këndej nga kuplaratë, e qejfet apo gjëra të këtij lloji. Çfarë bënë realisht për vendin. Ku i ke veprat që lanë?

Në thelb kishte të drejtë.

Problemi real rikthyer “ suvasë” shtëpie, në pyetjen ku po shkojmë?

E vjetra nuk na shpie gjëkundi dhe e reja, nuk duket fare në sipërfaqe. Vetë, nuk hyj te njerëzit që besojnë, se vendin e shpien përpara shoqatat e gjithfarë karakteri. Edhe demokracitë fillestare të Greqisë së Lashtë, janë udhëhequr nga njerëz mendje ndritur që kanë kuptuar së pari mirë vendin që udhëhiqnin… Nuk ishte punë shoqatash atëherë dhe tani. Në thelb të paktën këtu tek ne, ato janë shtojcë, si dikur, e mekanizmave që krijoi Partia e Punës për të mbajtur nën fre popullin.

Çështja shtrohet drejtëpërdrejtë…

Si do të rrojë kombi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, a Mal të Zi? Pa Strategji kombëtare, pa pronë të përcaktuar dhe pa arsimim profesional që i shërben vendit, besoj se shkojmë drejt asgjëkundit. Të gjitha manovrat e tjera, sido e sado sukses të kenë janë të kufizuara në vlerë e cilësi.

Në Shqipëri besojmë te BE. Rama i ka bashkangjitur së fundmi dhe idenë e Minishengenit. Albini në Kosovë, ka hesapet me Serbinë për shumë punë të pambyllura, e së fundmi për një marrëveshje që lidhet me ca “Kilometra katror” që duhen ripërcaktuar. Në Maqedoni, gjendja duket akoma më larg. Flitet për marrëveshje të parealizuar të Ohrit, e problemet kufizohen në përcaktimin e aleatit të radhës për zgjedhjet përkatëse, etj etj

Besoj se kështu po vemë drejt asgjëkundit.

Historia e BE, megjithëse e vërtetë, duket larg, por besoj se nuk do të bjerë rezultatet që duam, nëse nuk bëjmë ca punë vetë përpara që siç theksova lidhen me Strategjinë kombëtare, pronën dhe arsimimin profesional.

shpetim nazarko

Minishengeni, që për mua është një mjet që i bën qejfin Francës, përdoret nga Rama me të njëjtën filozofi. Natyrisht nuk i tejkalon ato që quhen mjete, por maksimumi relaksojnë situatën. Që Minishengeni të kthehet në realitet nga ku mund të gjykojmë realisht dëmet e të mirat, duhet kohë.

Po ai mbetet vetëm një copë letër dhe asgjë më shumë. Për ta kthyer në realitet duhen traktate të nënshkruar nga të gjithë etj. Rama, që i di këto, natyrisht tallet me gjithë kritikët e tij sepse, Minishengeni vlen realisht vetëm për gjëra minimale që relaksojnë marrëdhëniet ndërmjet vendeve. Kam idenë që Rama, i cili ka kohë që është shndërruar në politikan profesionist, po plotëson duke nënqeshur vetëm dëshirën e Francës. E cila bën vetëm zhurmë kot, e nuk bën dot gjë tjetër, psh të zërë rolin e Gjermanisë, a të Anglisë, se për këtë punë duhen para… dhe luftë pa para, siç thoshte Napoleoni nuk ka. Besoj thjesht, se kjo dëshirë e Francës që nuk kundërshtohet këtu, nuk është gjë tjetër, veçse një nga ato manovrat që mund ti quajmë thjesht “Manovra në xunkth”. Në këto lloj manovrash në xunkth, është përzierë dhe Kosova e Maqedonia.

Çështja shtrohet edhe njëherë thjeshtë. Si do të vazhdojë të rrojë Shqipëria? Ku e ka ajo strategjinë kombëtare, marëdhëniet me pronën dhe arsimin profesional. Si do t’i nxjerrë ajo jashtë vendit pasuritë e veta minerare? Me karroca kamionë, apo vaporë e hekurudha? Ku i ka këto të fundit dhe nga do të kalojnë ato? Cilat janë rrugët kryesore që duhen bërë si fillim?

Më shumë shtrohet ky problem për Kosovën. Vërtet mendojnë se do t’i shpëtojnë ato minerale që nuk dihet kur do nxirren, e sa vlerë reale kanë. Çfarë pasurie reale ka? Dhe së fundmi si do shkojë në Europë? Me Nishin apo nëpërmjet Shkupit?!

E njëjta pyetje shtrohet edhe për shqiptarët e Maqedonisë?

E më së shumti pyetja vendimtare, shtrohet si lidhen tre a katër pjesët e kombit në një të vetëm, që nesër të hyjnë në Europë me kokën lart dhe me ato që kemi realisht në duar.

E kam paraqitur një mijë herë këtë hartë dhe prapë do ta paraqis.

Është një nga dy shtyllat që mban Kombin në këmbë. Bashkë me pronën në Shqipëri dhe arsimin professional përbën shtyllën e ecjes reale në një Europë të së nesërmes, apo ndryshe thjesht për prosperitet, me apo pa Europë të bashkuar.

Të diskutosh se Rama, Albini, a Ali Ahmeti janë maskarenj a tradhëtarë, është histori që prodhojnë vetëm analistët e kafeneve. Besoj se të treve këtyre e ca të tjerëve, u vlen më shumë një histori tjetër diskutimi.

Si bashkohet Kombi mendërisht – së pari, duke zgjidhur problemet kombëtare që lidhen me pozicionin gjeografik me Europën. Çfarë pasurie kanë realisht dhe si ndërlidhen si një e tërë me njëra-tjetrën?

Në nuk e dinë, le t’i hynë me themel edhe njëherë Arbën Xhaferit, apo Rilindasit të fundit të Shqipërisë, për të kuptuar idetë e tij të “Komunuelthit ekonomik” panshqiptar.

Shakatë për të përparuar vendin me historira shoqatash, e analistë gjithfarësh janë banale.

Besnik ndaj ideve të Plakut Balzak, po e citoj edhe njëherë thënien e tij legjendare, ashtu si më vjen nëpër mend.

Ligji del nga truri i zgjuar i një njeriu gjenial dhe jo nga mendja e turmës njëmijë vetëshe, që vetëm e turbullon, apo e ngatërron atë.

Albin e Edi, duhet të vrapojmë se kështu po vemë drejt asgjëkundit!