MENU
klinika

Opera e Vjenës

Kjo është nata e Eno Peçit!

20.02.2020 - 15:34

      Opera shtetërore e Vjenës pritet të shndërrohet sonte, në sallën më të bukur të vallëzimit në botë. Nën moton “Mbretëresha e natës” sonte do të mbahet “Opernball”, evenimenti më i madh artistik i kryeqytetit austriak, sikurse raportojnë mediet vendase.

Mbi 5 mijë të ftuar të kategorisë VIP në Austri, pritet të jenë të pranishëm. Afro 2 milionë shikues, llogaritet që do të ndjekin nga televizioni këtë mbrëmje gala. Për shkak të pjesëmarrjes në një samit të BE-së, do të mungojë kancelari Sebastian Kurz.

Nga ana tjetër, nuk do të mungojnë emra të njohur në mbarë botën, të cilët janë të ftuarit e veçantë të një mbrëmjeje si kjo. Tashmë ka arritur në Vjenë, aktorja e famshme italiane, Ornela Mutti, e cila është e ftuar si shoqëruese në këtë mbrëmje, e biznesmenit të njohur në Austri, Richard Lugner.

Por, sapo të ftuarit do të zënë vend, e gjithë vëmendja do të jetë drejtuar në çeljen e mbrëmjes artistike. Kjo i është besuar koreografit shqiptar në Austri, Eno Peçit.

“Eno Peçi është anëtar i Baletit shtetëror të Vjenës, prej 20 vitesh dhe balerin solo, nga viti 2009. Koreografi bën hapjen e “Opernball”, për herë të dytë, pas vitit 2018. Një zgjedhje e mirë kjo, pasi Peçi është një koreograf i shquar, i cili, përveç në Vjenë, ka krijuar edhe në Moskë dhe qytetin e tij të lindjes, në Tiranë“, – cilësojnë mediet austriake.

Për më shumë lajme, vizitoni: www.konica.al