“Ishte vizita e parë si kryeministër jashtë Republikës së Kosovës, por nuk ishte politikë e jashtme. Ishte ceremoniale, por nuk ishte thjesht simbolike. Dy republikat tona nuk e kanë luksin ta shohin njëra-tjetrën me syzet e diplomacisë”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Ai falënderoi kryeministrin shqiptar, Edi Rama, për pritjen dhe diskutimin që patën, duke shtuar se pritet bashkëpunim në fushën e ekonomisë dhe arsimit mes dy vendeve.

“E falënderoj kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për pritjen shtetërore e për diskutimin konstruktiv që patëm. Prej takimeve institucionale e marrëveshjeve mes Kosovës e Shqipërisë, jam i sigurt se shumë shpejt do të burojë një intensitet i ri bashkëpunimi ekonomik e arsimor, prandaj sot më shoqëruan në takim ministri i Financave, Besnik Bislimi dhe ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami. Këto janë fusha ku afrimi i Shqipërisë me Kosovën nuk toleron asnjë vonesë e pengesë”, shkruan ndër të tjera Kurti.

foto galeri

Kryeministri i Kosovës, tha se janë dakorduar për ecurinë e 77 marrëveshjeve mes vendeve, duke konfirmuar po ashtu se një takim mes dy Qeverive do të mbahet gjatë muajit mars në Shkodër.

“U dakorduam të krijojmë komisionin ndërshtetëror i cili i analizon ecurinë e 77 marrëveshjeve mes të dy vendeve tona dhe në fund të marsit, në Shkodër, kur të takohen dy Qeveritë tona të trajtojmë ecurinë e punës së deritashme e të përcaktojmë punën e re që duhet të bëjmë”, shprehet Kurti.

Ai falënderoi të gjithë ata që e pritën gjatë kësaj vizitë në Shqipëri, duke shtuar se ende janë larg arritjeve që populli do të dëshironte.

“Takime të përzemërta e vëllazërore patëm edhe me presidentin, Ilir Metën, kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçin dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, të cilët më përcollën urime për detyrën e re, e unë u shpreha nevojën për ndihmë e mbështetje. Shqipëria është e gatshme të kontribuojë për Kosovën, e Kosova është plot entuziazëm për një bashkëpunim të tillë. Për çështjet e rëndësisë kombëtare na duhet të flasim njëzëri. Dekada e tretë e shekullit XXI duhet të sjellë një fillim të fuqishëm, si asnjëherë më parë, të bashkëpunimit e bashkërendimit Kosovë-Shqipëri. Nuk mohoj arritjet e së shkuarës, por jemi larg asaj çka dëshiron populli ynë, larg asaj që është brenda mundësive tona reale. Dy vendet tona janë prioritet i njëra-tjetrës dhe nuk ka çështje që presin, në asnjë fushë”, përfundon Kurti.