MENU
klinika

Dy kuqezinjtë

Lajm i mirë për Hysajn, Berisha kryeson në Serie A

18.02.2020 - 11:46

Elseid Hysaj nuk ka dëmtim të rëndë. Ky është lajmi i mirë që vjen për kapitenin e Kombëtares shqiptare. Mbrojtësi shkodran u dëmtua në sfidën e së dielës kundër Cagliarit, teksa doli nga fusha e lojës në minutën e 80-të, pas një dëmtimi në gju.

Ai u është nënshtruar vizitave mjekësore dhe Napoli ka njoftuar se Hysaj ka një tërheqje të lehtë të ligamentit të gjurit të djathtë. Nuk është një dëmtim i rëndë dhe nuk përjashtohet mundësia që mbrojtësi shqiptar të jetë gati për sfidën e radhës me Brescian, që do të luhet këtë fundjavë.

Ndërkohë, Etrit Berisha është futbollisti më i spikatur në ekipin e SPAL. Pavarësisht se ekipi i tij renditet në vendin e fundit të renditjes, gardiani shqiptar ia ka dalë të bëjë detyrën e tij më së miri. Madje, nëse SPAL ka ende shpresë për të mbijetuar në elitën e futbollit italian, kjo lidhet ngushtë me paraqitjet e Berishës.

Dhe, kjo faktohet edhe nga një statistikë e cila nxjerr portierin kuqezi, si të parin me më shumë pritje në kampionatin italian. Berisha ia ka dalë të bëjë 102 pritje, duke lënë pas shumë emra prestigjiozë të Serie A. Këtë statistikë duhet ta lexojë mirë edhe Juventusi, me këta të fundit që sfidojnë SPAL dhe Berishën këtë të shtunë.

Ronaldo me shokë duhet të mbajnë mend performancën e 30-vjeçarit në Torino, ku pavarësisht se në fund morën tri pikët, Berisha u kthye në një “makth” për sulmuesit e Zonjës së Vjetër me pritjet e tij.