MENU
klinika

NBA

Lakers fiton thellë, James refuzon nr.24 të Bryant

05.02.2020 - 11:58

Los Angeles Lakers vijon marshimin në krye të Konferencës së Perëndimit në NBA, duke triumfuar 129-102 ndaj San Antonio. Ndeshje e dominuar nga Lakers, ku u dallua LeBron James, autor i 36 pikëve, më i miri në parket.

Kujtojmë që më 16 shkurt në Chicago do të zhvillohet ndeshja e “All Star Game” ku do të luajnë të gjithë yjet e NBA-së. Kjo ndeshje do të jetë një dedikim për Kobe Bryant, i ndarë nga jeta 10 ditë më parë, pas një aksidenti ajror.

Gjithsesi, LeBron James, një nga kapitenët e dy skuadrave, ka vendosur të mos mbajë asnjë nga dy numrat (8 dhe 24) që ka patur në karrierën e tij Kobe Bryant.

LeBron James ka vendosur të mbajë nr.2 në fanellën e tij. Ky është numri që ka patur Gianna, vajza e Kobe Bryant, që gjithashtu humbi jetën në këtë aksident ajror. Ndërsa Giannis Antetokounmpo, kapiteni i ekipit tjetër, ka zgjedhur të mbajë në fanellën e tij nr.24.

Për pasojë, të gjithë lojtarët e ekipit të LeBron do të kenë në fanellën e tyre numrin 2, ndërsa lojtarët e ekipit tjetër do të mbajnë numrin 24 në fanellën e tyre.

Ndërkohë, fiton edhe Denver, që mundi 127-99 rivalët e Portland, duke qëndruar në elitën e skuadrave në Perëndim. Për Denver u dallua Jokic, që realizoi 29 pikë e 13 rebound.

Në Lindje vazhdon të dominojë skuadra e Milwaukee, që sot triumfoi 120-108 në fushën e New Orleans. Ndeshje më e mirë për vendasit në pjesën e parë, ku u dallua Ingram me 32 pikë, ndërsa në pjesën e dytë erdhi përmbysja e Bucks me Antetokounmpo, që realizoi 34 pikë e 17 rebound. Fiton edhe Houston, 125-110 ndaj Charlotte, me Harden protagonist, autor i 40 pikëve dhe 10 asist.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"All Star" me ndryshime

NBA nderon legjendën Kobe Bryant