MENU
klinika

Nga Shpëtim Nazarko

Lamtumirë Profesor!

22.02.2020 - 20:20

*In memoriam për Profesor Safet Beqirin

Mbrëmë në një nga klinikat gjermane, vdiq Profesor Doktor Safet Beqiri. Ishte ndoshta mjeku më i mirë që Kombi kishte në të dy anët e kufirit në fushën e sëmundjes së mushkërive… E jo vetëm! Shef klinike në Gjermani prej kohësh. Në fushën e arritjeve, në specialitet ishte kirurg i mushkërive, i atribuohet një nga operacionet më të rralla që në Ballkan, ende nuk është bërë.

Për ata që nuk e njohin në profesion, e më shumë, mund të përmendja rastin e aktorit të njohur Ndriçim Xhepa, i cili shpëtoi falë ndërhyrjes së tij kirurgjikale. Po, Ndriçim Xhepa, ishte vetëm njëri nga ata të cilët i detyrojnë jetën.
Në Spitalin Amerikan, ku e pashë për herë të fundit, kësaj radhe të sëmurë papritur vetë dhe në ditët e fundme të jetës, numërohen shumë raste, kur ky njeri i madh dhe shpirtgjerë, kish’ bërë shumë operacione falas. E jo vetëm në këtë kohë kolere që po kalon Kombi, kjo nuk është pak! Duke ardhur nga Gjermania, apo nga vendi i lindjes ku mund të shijonte pushimet në shtëpinë e tij, vetëm për këtë bamirësi ndaj njeriut pa i vënë re statusin shoqëror. I pasur, a i varfër, Profesori vinte me të njëtin buzagaz.

E ndesha vetë bamirësinë e tij, para rreth tre vjetësh, ku pa më të voglën mëdyshje, erdhi nga Kosova ku ishte me pushime për të parë tim atë, të cilin ashtu si dhe mua as e njihte dhe as e kishte takuar ndonjëherë.
Po nuk ishte vetëm Spitali Amerikan, ku ndërhyrjet e tij ishin falas. Shkonte kudo ku e thërrisnin dhe gjithçka e bënte falas. E gjithnjë duke buzëqeshur. Drejtoresha e Spitalit Amerikan, më thoshte se edhe së fundmi kur ishte këtu për t’i kaluar ditët e fundit (nuk donte të mundonte a shqetësonte njerëzinë e t’i shpinte deri në Gjermani), kërkonte të shihte sa më shumë skanera të të sëmurëve. Të shpëtonte edhe një jetë. Më tha edhe për një rast që e kishte parë në Gjermani në televizonin tonë dhe donte urgjent t’ja shihte letrat. -Është i ri, tha, shumë i ri, për të vdekur.

E shikoja ashtu trup vogël, por energjik deri në infinit dhe gjithnjë me cigare në buzë. Ishte ndoshta një nga shkaqet që e dëmtoi atë vetë. Një kurajo për tu admiruar, më thoshte një nga kolegët e tij. I gjendur vetë në kushtet e reanimacionit në një rrezik të tmershëm nga shpëtoi, por vetëm për pak ditë, i kishte thënë doktorit koleg:

kolana e librave

“Nëse do të futem edhe njëhere në intubim, ke vetëm një lutje – Pas tre orësh të më heqësh oksigjenin…”

Profesori iku i qetë mbrëmë. Mori me vete atë që është realisht lëvdata më e madhe që mund ti bëjnë njeriut në jetë. Ajo që kur kalon rrugës njerëzia të thonë: Po kalon një burrë i mirë!

Profesor Safeti meritonte më shumë se këtë lëvdatë. Me vdekjen e tij, mjekësia shqiptare humbi jo vetëm një nga korifejtë e saj në fushën e mjekësisë, por edhe një nga burrat e mirë të saj!

U prehsh në paqe! Lamtumirë, burri i mirë, Profesor Safeti!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Video-intervistë me Prof. Dr Safet Beqirin

Kirurgu që i shpëtoi jetën Ndriçim Xhepës!