MENU
klinika

Ministria e Kulturës

Luftë trafikimit të objekteve të pasurisë kulturore

16.02.2020 - 17:03

      Masa të reja ndaj trafikimit të paligjshëm të objekteve të pasurisë kulturore. Ministria e Kulturës njofton se do të ketë në bashkëpunim edhe ekspertë të huaj, që do të ndihmojnë dhe për ngritjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale në vendin tonë. 

Përpos ndihmës në qasjen e legjislacionit shqiptar me kërkesat e Bashkimit Europian, ekspertët do të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve teknike dhe profesionale, në trajnimin e stafit të Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore dhe të institucioneve të tjera, që lidhen në mënyrë direkte e indirekte në trajtimin e kësaj çështjeje, si doganat, policia etj”, – është shprehur ministrja e Kulturës, për takimin e mbajtur së fundmi.

Sipas ministres së Kulturës, pjesë e këtij projekti është edhe sensibilizimi qytetar për mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, duke nisur që nga brezi më i ri, nëpërmjet edukimit përmes kulturës. Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore, është institucion kombëtar i specializuar i trashëgimisë kulturore në varësi të ministrit përgjegjës për trashëgiminë kulturore.

IKRTK-ja ka për mision krijimin, ruajtjen dhe përditësimin e Regjistrit Kombëtar të Pasurive Kulturore, në formë elektronike dhe të shkruar. IKRTK po ashtu ka për detyrë regjistrimin, katalogimin informatik, dokumentimin, vlerësimin, promovimin, mbikëqyrjen dhe monitorimin e respektimit të të drejtave të pronësisë dhe të lëvizjes së pasurive kulturore kombëtare. IKRTK monitoron dhe koordinon punën me njësitë territoriale në fushën e pasurive kulturore. Në vijim të aktivitetit, IKRTK ka për kompetencë të regjistrojë dhe të dokumentojë të gjitha pasuritë kulturore, materiale dhe jomateriale, si dhe pasuritë e peizazhit në pronësi publike e private në territorin e Republikës së Shqipërisë. Të hartojë platformën për regjistrimin e të gjitha pasurive kulturore të luajtshme e të paluajtshme, që ruhen nga rrjeti muzeor i vendit, nga galeritë e artit, personat privatë, institucionet e specializuara vendore e kombëtare dhe bashkësitë fetare të regjistruara me ligj, për krijimin dhe përditësimin e regjistrit kombëtar të pasurive kulturore, etj.

Për më shumë lajme vizitoni www.konica.al