MENU
klinika

"Në çdo stinë"

Markarian: Tartari u dënua prej Silva Turdiut, pse s’u puthëm në film

04.02.2020 - 19:28

Aktorja e njohur dhe e dashur për publikun shqiptar edhe si shkrimtare, ka spikatur me rolet në kinema. Gjatë një interviste dhënë së fundmi për mediet, ajo ka treguar një skenë të pathënë më parë, gjatë xhirimeve të filmit “Në çdo stinë”. Markarian, rrëfeu për një puthje që nuk u realizua dhe për skenat e hequra, që lidheshin me figurën e profesor Kreshnik Tartarit, për shkak të problemit që doli asokohe me Silva Turdiun. Ajo tregon se regjisori Viktor Gjika, donte patjetër një puthje në film, mes saj, në rolin e Zanës dhe Arben Imamit, në rolin e Bardhylit.

“Viktori donte patjetër një të puthur ndërmjet Zanës dhe Bardhylit, nuk isha aspak kundër. Në skenën që ndërtoi, ajo që nuk më pëlqeu ishte që kur bjen sirena kjo duhet të vraponte e ta puthte. I thashë pse duhet të kem frikë ndërkohë që më ke nxjerrë sportiste, në zbor, pse duhet të kem frikë nga kjo sirenë ndërkohë që po të më vesh afër me personin, do t’ia mbështes kokën te gjoksi. Dhe aty mund të… Nuk iu mbush mendja, kishte mendjen e vet. As aktori që luante Bardhylin (Arben Imami) nuk e pranoi”, – tha ajo.

Pyetjes nëse e ka ruajtur raportin me aktorin Imami, Markarkian i përgjigjet: “Me Arbenin ruaj njohjen, nuk kam komunikuar më, që kur kam ikur nga Shqipëria. Kam ndjekur karrierën e tij politike, por nuk kam asnjë lidhje”.

Duke u ndalur në anën e saj si volejbolliste në rol, Anisa tregon sesi u hoq nga filmi figura e Kreshnik Tartarit, pasi mendohej se ai kishte favorizuar dhe mbajtur të fshehtë lidhjen e Silva Turdiut me djalin e Mehmet Shehut, por e gjitha përfundoi kur Mehmet Shehu vdiq.

“Mua më dhembi, por jo se isha unë, filmi nëse një person pësonte dicka politikisht, pritej. Dhe ky film, fatkeqësisht për shumë vite, u hoq figura e profesor Tartarit, për shkak të problemit me Silva Turdiun, u hoqën fare. Kreshnik Tartari, nuk duhej të qëndronte sepse ishte fajtor që kishte favorizuar këtë dashuri”- ka thënë ajo, duke shtuar se më pas, skenat u plotësuan.

“Viktori i kishte ruajtur bishtat që i themi ne. Vrau veten Mehmet Shehu, u rehabilitua profesori i dashur dhe ju keni fatin ta shikoni me sekuencat e profesorit”, – ka përfunduar rrëfimi i aktorja e njohur.