MENU
klinika

Tubacioni i gazit

Marrëveshje me Izraelin, qëllimi i ri i Erdoganit!

10.02.2020 - 18:13

Pas disa vitesh konflikte me Izraelin për çështjen palestineze, qeveria turke mund të përpiqet të përmirësojë lidhjet me Izraelin për të rritur pretendimet e veta për ujërat e pasura me gaz në Mesdheun lindor, shkruante kolumnisti turk Burak Bekdil për faqen ndërkombëtare të lajmeve hebraike, Algemeiner.

Derisa nënshkroi një marrëveshje kufijsh detare me qeverinë libiane të njohur nga KB, nëntorin e kaluar, Turqia ishte lënë e izoluar kundër një blloku të vendeve rajonalë përfshirë Izraelin, Qipron, Greqinë dhe Egjiptin që nënshkruan marrëveshje për demarkimin e zonave të Mesdheut lindor që besohet të kenë hidrokarbure.

Tani, ajo mund të kërkojë një marrëveshje të ngjashme me Izraelin, sipas shefit të stafit të Marinës Turke, Admirali Cihat Yaycı.

Izraeli ka nënshkruar marrëveshje me qeverinë e Qipros, të cilën Turqia nuk e njeh zyrtarisht, dhe me shtetet e tjera të rajonit, por Turqia po  kërkon të prishë planet nga Greqia, Qipro dhe Izraeli për të ndërtuar një tubacion gazi.

Por një marrëveshje me Turqinë do të transportonte gazin izraelit në Evropë shumë më lirë, dhe Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka thënë se ai do të ishte i gatshëm të punonte me ndonjë shtet rajonal përveç Qipros.

Kjo potencialisht e lë derën të hapur për një marrëveshje me Izraelin, megjithëse dy vendet nuk kanë shkëmbyer ambasadorë që nga dëbimi i të dërguarve të njëri-tjetrit në 2017.

Erdogan dhe Partia e tij me rrënjë islamike Drejtësia dhe Zhvillimi kanë qenë mbështetës të fortë të lëvizjes palestineze, duke përfshirë mbështetjen e Hamasit, grupit militant islamik që qeveris Rripin e Gazës që Izraeli e shikon si një organizatë terroriste.

Përkthyer dhe përshtatur nga Ahval/ konica.al