MENU
klinika

"Ka nisur lufta më ekstreme ndaj krimit"

“Mos guxoni…”, Rama ultimatum prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar

13.02.2020 - 22:23

Kryeministri Edi Rama foli për operacionin “Forca e Ligjit”, të nisur në fillim të këtij muaji dhe që shënjestron pasuritë e personave të njohur të botës së krimit, por edhe për gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, të cilësuar prej tij si “grupi KÇK”.

Rama tha në emisionin “Opinion” se prej ditës së djeshme ka nisur dhe goditja e prokurorëve dhe gjykatësve të korruptuar, që sipas tij, iu është dërguar mesazhi “Mos guxoni të merrni vendime skandaloze ‘kap ç’të kapësh’”.

“Këta kanë dalë nga zinxhirët, janë një bandë. Këta gjyqtarë dhe prokurorë thonë që nuk e kalojnë Vettingun, se nuk ka asnjë shans, ndaj dhe thonë të kapim, ç’të kapim. Meqë qenka kështu, ata nuk mund të kapin ç’të kapin, pasi të fillon hetimi nga ILD dhe shkon direkt përpara gjyqit si gjyqtar apo prokuror i akuzuar për t’u dënuar me burg, sepse ke bashkëpunuar me krimin”, tha Rama.

Fevziu: Mund të arrestohet një gjykatës apo prokuror?

Rama: 100% arrestohet, nëse jep vendime skandaloze, siç ishte ai i gjyqtares që liroi atë. Me këtë ne kemi arritur t’iu japim mesazhin gjyqtarëve e prokurorëve “Mos guxoni të bënim më veprime të tilla”. Deri dje kjo nuk bëhej dot, ishte e pamundur. Sot ka një emergjencë për ta çuar luftën kundër krimit në ekstrem. Ligji special nuk merret me asgjë tjetër, përveçse me një gjë: je dënuar, sepse ke vrarë, ke shfrytëzuar vajza, ke trafikuar drogë. E ke kryer apo je duke e kryer dënimin, s’ka rëndësi. Jo ne, po ti, jo shteti, po ti, do provosh që pasuria është burim i punës dhe jo i aktivitetit kriminal. Këtë gjë ka bërë edhe Italia, kur ka shkatërruar mafien. Ne e kemi një ligj ‘anti-mafia’, që është më i egër se ky, por me kë të funksiononte ai, me KÇK. Kjo është shpallja më ekstreme e luftës ndaj krimit të organizuar.