MENU
klinika

Përgjigjt mjeku i përgjithshëm

Ndihem e lodhur, kam dhimbje kockash dhe muskujsh. Çfarë të bëj?

09.02.2020 - 13:32

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacientja: Jam 26 vjeç dhe muajt e fundit i km muskujt tepër të dobët. Ndihem vazhdimisht e lodhur dhe shpesh kam dhimbje kockash. Si mund të më ndihmoni?

Mjeku i përgjithshëm: Ka shumë persona që ndihen vazhdimisht të lodhur, si të këputur. Me nocionin lodhje kronike kuptohet një grup kushtesh mjekësore që karakterizohen nga një lodhje e vazhdueshme, si edhe simptoma të tjera të veçanta që zgjasin së paku për gjashtë muaj për të rriturit dhe tre muaj për fëmijët dhe adoleshentët. Asnjëherë nuk duhet neglizhuar simptoma e lodhjes, sidomos kur ajo zgjat për një periudhë të gjatë kohore. Menjëherë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj, pasi ka shumë sëmundje që fillojnë dhe shoqërohen me lodhje.

Ndër këto sëmundje mund të përmendim hepatitet virale, mononukleoza infektive, sklerozat multiple, sëmundje të ndryshme malinje, diabeti, sëmundje të tiroides, sëmundjet reumatizmale, sëmundjet e zemrës, çrregullimet depresive, marrja e tepruar e medikamenteve të ndryshme, etj. Sigurisht që sëmundjet shoqërohen edhe me shenja të tjera të veçanta. Prandaj është e domosdoshme konsulta me mjekun dhe kryerja e analizave dhe ekzaminimeve që nevojiten. Çdo sëmundje që mund të rezultojë duhet të trajtohet rregullisht dhe të mbahet në kontroll.

Në rastin e sindromit të lodhjes kronike pa ndonjë shkak të veçantë nuk është se ka ndonjë terapi të veçantë medikamentoze. Mund të trajtohen simptoma të tilla si dhimbja e kokës, e muskujve, e barkut me qetësues (edhe këto me këshillën e mjekut të familjes). Rekomandohet jetë aktive dhe aktivitete sportive sigurisht lidhur me mundësinë që lejon edhe gjendja shëndetësore. Bëni çdo ditë shëtitje në ajër të pastër dhe jetë sa më të pasur sociale e në marrëdhënie me njerëz (qofshin familjarët tuaj apo takime me shoqërinë).

Mos u mbyllni në guaskën tuaj dhe mos bini pre e dëshpërimit. Mos nguroni të kërkoni edhe ndihmën e psikologut apo edhe të mjekut neuro-psikiatër sipas nevojës. Kjo mund të jetë ndoshta edhe detyrë e familjarëve. Hani shëndetshëm, me sa më shumë jeshillëqe, fruta e zarzavate. Kufizoni përdorimin e mishit të kuq dhe shtoni pulën dhe peshkun. Qëndroni larg fast-foodeve, të skuqurave, pikanteve, pijeve të gazuara e të sheqerosura. Përdorni ushqime të freskëta, të ziera dhe të zgarës, komposto të bëra vetë me fruta të freskëta. Në përgjithësi pacientët që kërkojnë ndihmë për probleme të tilla kanë ecuri të mirë sidomos kur përkrahen edhe nga familjarët e tyre. Fëmijët kanë ecuri më të mirë se sa  të rriturit.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përgjigjet mjekja e përgjithshme

Kam dhimbje në qafë dhe mpirje. Çfarë të bëj?